“Integrimi evropian duhet të jetë sfida kryesore për të gjithë”

Kryetari i LSI-së Ilir Meta i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të bëhet anëtar i Komisionit Parlamentar për integrimin evropian
Lidhur me vizitën e fundit në Tiranë të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino, kryetari i LSI-së konfirmoi se procesi i integrimit europian duhet të vazhdojë të jetë sfida kryesore për të gjithë dhe për LSI-në.
Duke dalë dje para mediave, Meta u shpreh midis të tjerave se, "Vizita e Sanninos duhet vlerësuar si një tërheqje vëmendje për të shpejtuar ritmin e reformave, që na japin statusin e kandidatit dhe na ndihmon të mos humbim kohë në këtë rrugë".
Ndërkohe, kreu I LSI-së, bëri të ditur se, i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të bëhem anëtar i Komisionit Parlamentar për integrimin evropian.
Aktualisht Komisioni i Integrimit përbëhet nga 9 anëtarë. Opozita kryeson drejtimin e këtij komisioni me deputetin, Ditmir Bushati, ndërsa mazhoranca ka shumicën në këtë komision.