E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prane marreveshjes aleatet e PS-se per sistemin zgjedhor

Aleatët e PS-së, Paskal Milo e Nard Ndoka mohojnë përçarjen e koalicionit të majtë. Një ditë pas takimit më Edi Ramën ku kanë munguar Gjinushi, Dule e Ngjela, aleatët e pranishëm thonë se kjo mungesë e tyre nuk është për shkak të pakënaqësive, por angazhimeve personale. Milo e Ndoka konfirmon se koalicioni i majtë madje është pranë nënshkrimit të një marrëveshje të përbashkët opozitare.

“Them që ka qenë një takim i mirë sepse mjaft hije që ishin krijuar në marrëdhëniet midis nesh në këtë periudhë kohore pas 8 majit u qartësuan dhe koalicioni do të përpunojë shumë shpejt edhe një program që do të përfaqësojë interesat e gjithë partive që përfshihen në koalicion”-tha Milo.

Ulja e toneve të pakënaqësisë së aleatëve  të PS-së ndaj kësaj të fundit duket se më shumë se kaq ka të bëjë me shpresën e tyre se partia më e madhe në opozitë do t’i mbështesë në kërkesat  për rëformën zgjedhore në kalimin tek një sistem propocional kombëtar.

“Ndryshimi i kodit zgjedhor për përmirësimin e këtij realiteti politik është i domosdoshëm dhe ajo që është e rëndësishme që vetë PS ka reflektuar dhe besoj se do të jetë pozitive në ndryshimet e duhura dhe të kërkuara”-tha Ndoka.

“Ne kemi qëndruar mjaft në diskutimin e çështjes rreth reformës zgjedhore dhe kodit elektoral dhe kemi paraqitur pikëpamjet tona që siç thashë janë dëgjuar me vëmendje nga Rama, madje me aq sa dëgjova PS-ja nuk e përjashton mundësinë që të shikojë korigjimin e sistemit zgjedhor duke futur në të elementin e proporcionalit kombëtar”-theksoi Milo.

Aletatët e PS-së Milo e Ndoka shprehen mbështetës ndaj kursit të ri të PS-së dhe ndërprerjes së bojkotit parlamentar të PS-së, për të cilën ata thonë se janë informuar edhe një ditë më parë nga kryetari Edi Rama, të cilin e kanë inkuruajuar që PS në kuvend të mbështesë ligjet e integrimit të vendit.

Rovena Moçka/Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›