Arvizu: Policia përballoi goditjet me gurë e molotov pa u hakmarrë
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, nuk i kurseu lëvdatat për rolin e policisë gjatë demonstratës së 21 Janarit. Gjatë ditës së djeshme, Arvizu i ka dorëzuar kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, raportin e hartuar nga ICITAP mbi masat e policisë, gjatë demonstratës së 21 janarit. "Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, për mua është e qartë që Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për t’u ballafaquar me një demonstratë që do organizohej, si dhe ata ekzekutuan planin operacional në mënyrën mëse të mirë. Gjatë dhunës ekstreme të 21 janarit, drejtori i Përgjithshëm Burgaj inicioi masa dhe procedura të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i mundësohej Policisë që të mbante nën kontroll dhe të menaxhonte situatën sa më shumë që të ishte e mundur, duke pasur parasysh burimet e tyre shumë të kufizuara. Punonjësit e Policisë gjatë demonstratës ishin në pjesën më të madhe të pambrojtur dhe disiplina dhe kuraja që ata demonstruan duhet lëvduar. Ata qëndruan të palëvizur gjatë goditjes me objekte të forta, duke përfshirë gurë, shkopinj si dhe bombat molotov” – u shpreh Arvizu gjatë fjalës së tij. Më tej, ambasadori amerikan përgëzoi efektivët e policisë, të cilët, sipas tij, qëndruan përballë këtyre sulmeve duke iu bindur urdhrave, pa i thyer radhët e tyre dhe as nuk u hakmorën, kur u provokuan fizikisht. Gjithashtu, Arvizu deklaroi se në një vend demokratik duhet të jetë e garantuar e drejta për t’u mbledhur e protestuar për të gjithë, por nga ana tjetër edhe protestuesit kanë detyrimin që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe paqësore. Nga Policia e Shtetit, ambasadori amerikan ka përsëritur thirrjen për një hetim të plotë e të gjithanshëm, duke kërkuar ballafaqimin me drejtësinë për të gjithë ata që morën pjesë e organizuan aktet e dhunshme të 21 Janarit. “Do doja të përmend hetimin që është duke u kryer nga Prokuroria e Përgjithshme. Shumë herë e kemi theksuar se hetimi duhet të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i besueshëm. Hetimi duhet t’i përfshijë të gjitha fazat e ngjarjeve të 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët, protestuesit, si dhe ata të cilët janë përgjegjës për faktin që u qëllua, gjë e cila rezultoi me një ditë tragjike dhe me vdekjen e katër shtetasve shqiptarë dhe plagosjen e shumë demonstruesve te tjerë, sikurse dhe plagët e shumta që morën forcat e policisë” – bëri të ditur ambasadori Aleksandër Arvizu. Në fund të fjalës së tij, Arvizu shprehu dhe një herë rëndësinë për hetimin e plotë të ngjarjeve të 21 janarit. “Është shumë e rëndësishme që ky hetim të vazhdojë të çohet përpara, pa ndërhyrje të jashtme, në mënyrë që t’u jepet përgjigje pyetjeve që shumë shqiptarë kanë për ngjarjet e 21 janarit dhe që të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen” – mbylli deklaratën e tij ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.