E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Bashkëpunim me FBI-në për gjurmët dhe ADN

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pasi ka marrë në dorëzim raportin e ICITAP-it mbi rolin e policisë gjatë demonstratave të 21 janarit, ka shprehur falënderimin e tij për mbështetjen e ShBA-së, dhënë Policisë së Shtetit. “Më lejoni që në emër Policisë së Shtetit të falënderoj zotin Ambasador dhe Qeverinë e SHBA-së për mbështetjen e pa kursyer për Policinë e Shtetit, e cila ka influencuar dukshëm në rritjen e eficencës së strukturave të Policisë dhe për rrjedhojë, në rritjen e parametrave të sigurisë në vend” – u shpreh Burgaj. Më tej ai renditi disa nga elementët kyçë të mbështetjes, duke nisur që nga dhurimi i pajisjeve dhe instalimi i plotë i sistemit TIMS në të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit; asistenca për strukturën e analizës së informacionit kriminal; asistenca për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, asistenca për forcimin e luftës kundër korrupsionit, sidomos për organizimin dhe funksionimin e Task–Forcave si dhe një sërë ndihmash të tjera të ofruara nga pala amerikane. Sipas Burgajt, rol të rëndësishëm në këtë proces ka pasur edhe ndihma e dhënë për ndryshimin dhe ngritjen e një sistemi të ri të arsimimit e trajnimit policor. “Në mënyrë të veçantë duhet të përmend asistencën e vyer që kanë dhënë këshilltarët e Programit ICITAP në kryerjen e reformave më jetike për Policinë e Shtetit. Këto reforma kanë bërë të mundur rritjen e nivelit dhe përmirësimin e standardeve të performancës të Policisë se Shtetit. Gjithashtu, ne kemi bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme me Zyrën e Sigurisë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe me OPDAT-in” – deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij, Burgaj u shpreh se edhe në të ardhmen bashkëpunimet do vazhdojnë të jenë të frytshme. “Do të veçoja bashkëpunimin e pritshëm me FBI-në për shkëmbimin e të dhënave për gjurmët papilarë të personave të dënuar për vendet respektive, si dhe të dhëna të ADN; trajnime të specialistëve në fushën e provave dixhitale e kompjuterike, si dhe mjaft trajnime që do të zhvillohen edhe në fusha të tjera me interes. Së shpejti, do të realizohet dërgimi i oficerit të kontaktit në SHBA” – u shpreh Hysni Burgaj. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›