Arvizu: Politika përgjegjëse për fatet e integrimit
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka deklaruar sot se do të jetë përgjegjësi i drejtuesve politikë shqiptar nëse Shqipëria nuk do ta marr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Deklarata e ambasadorit Arvizu është bërë në qytetin e Elbasanit ku diplomati amerikan ka prezantuar nismën “Vepro tani”.
Kryediplomati amerikan ka fajësuar politikën shqiptare për progresin e ngadaltë të Shqipërisë në proçesin e integrimit. “Shqipëria nuk po performon aq sa duhet, ka shumë debate për marrjen e statusit. Nuk ka arsye përse Shqipëria të mos renditet përkrah vendeve të tjera të rajonit”- tha Arvizu.
Sipas tij, për këtë situatë përgjegjëse është politika shqiptare, e cila anashkalon problemet e qytetarëve për interesat e saj. “Politika është përgjegjëse që Shqipëria ka mbetur e fundit në rajon. Politikanët merren më shumë me fushatë sesa me problemet e qytetarëve. Ky problem është edhe në Amerikë por populli nuk e pranon këtë gjë. Atëherë që të ketë zgjidhje do të jetë vota ajo që do të ndëshkojë”- theksoi ambasadori amerikan.