E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo protesta

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, thotë në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se përfaqësuesit e zgjedhur dhe qeveritë nuk ndryshohen me protesta në rrugë, por përmes proçesit elektoral. Duke shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, Arvizu thotë se sistemi politik i Shqipërisë duhet të funksionojë në përputhje me statusin e saj si një vend i Natos, ku një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura.
 

“Kur fola me Prokuroren e Përgjithshme dhe shkëmbyem mendimet për situatën dhe ajo më propozoi të bashkëpunonim dhe siç e dini ne kemi sot jo vetëm FBI-në, që po ndihmon në anën kriminalistike, por po ndihmojmë edhe me prokurorë për hetimet. Për mua kjo tregon se ne nuk mbajmë anë. Ne nuk mbajmë as anën e qeverisë dhe as të opozitës. Po përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për Shqipërinë. Po japim ndihmesë për institucionet e pavarura, siç është zyra e Prokurores së Përgjithshme. Ne po shpenzojmë fonde të qeverisë amerikane për të ndihmuar me hetimet, pasi për mua, hetimet janë jetike për të sqaruar shumë çështje dhe shqetësime. Ne nuk po mbajmë anë”.
 

Ndërkaq, Arvizu deklaroi se është i shqetësuar, pasi në çdo demokraci që ajo të funksionojë dhe të jetë e efektshme, duhet të ekzistojë sistemi i kontrollit dhe balancës. Ky është thelbi i sistemit në Amerikë dhe i shumë demokracive në Evropë, i Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës dëshiron të bëhet Shqipëria. Shqipëria është vend i Natos dhe sistemi politik në Shqipëri duhet të funksionojë dhe veprojë në përputhje me këtë status. Një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura. Por dua të theksoj po ashtu se u takon njerëzve që janë në krye të këtyre institucioneve, si Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i SHISH-it, apo edhe zyra e presidentit, u takon këtyre që t`i realizojnë funksionet e këtyre zyrave në një mënyrë të tillë, që të zgjidhin shqetësimet shtetërore, pra duhet të ketë integritet në kryerjen e funksioneve të këtyre institucioneve. Disa here ato mund të jenë në konflikt me qeverinë, disa here me opozitën. Kjo është normale. Në çdo sistem politik ka tërheqje dhe lëshime. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për këto institucione. Unë e kam bërë këtë shumë të qartë në takimet e mia me kryeministrin Sali Berisha. Ai e ka të qartë dhe e kupton shumë mirë qëndrimin tim dhe të qeverisë amerikane në këtë drejtim”.

Arvizu ka dhëne opinjonin e tij dhe për komisionin hetimor për ngjarjet e 21 janarit.
“Në çdo demokraci një parlament i efektshëm, është një nga shtyllat e shtetit. Në Shtetet e Bashkuara ka shumë sisteme, shumë mekanizma përmes së cilave Kongresi mund të kryejë hetime. Për fat të keq ky komision parlamentar mbizotërohet nga demokratët pasi socialistët e kanë bojkotuar. Komisionet kanë një rol në demokraci. Por përsa i takon qëndrimit tonë, hetimet e vërteta, ato për të cilat ne po ndihmojmë, janë ato që po kryhen nga Prokurorja e Përgjithshme. Ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me të. Vura re se para disa ditësh, asaj iu kërkua të dilte para komisionit parlamentar. Ajo doli po nuk pranoi t`u përgjigjej pyetjeve. Unë e mirëprita faktin që ajo doli para komisionit. Kjo tregon se ajo respekton të drejtën e parlamentit si institucion që ta thërrasë atë si një zyrtare shteti. Po ashtu, ajo përdori edhe të drejtën e saj për të mos iu përgjigjur pyetjeve, pasi në fakt ajo vetë është duke kryer hetime. Për mua ky është një tregues i një demokracie në veprim”.
 

Jo vetëm kaq, por Arvizu ka folur dhe për deklaratat e PS-së përsa i takon zgjedhjeve lokale.
“Ka ende kohë deri më 8 maj. Mendoj se do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq në se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin. Dhe do të ishte po aq keq nëse opozita, ose ndonjë parti tjetër, do të vendoste të mos merrte pjesë. Demokracitë funksionojnë vetëm kur ka zgjedhje të besueshme. Kjo është mënyra si ndryshohen përfaqësuesit e zgjedhur, si ndryshohen qeveritë. Ato nuk ndryshohen me protesta në rrugë, apo me demonstrata. Ato ndryshohen përmes procesit elektoral. Dhe në Shqipëri ky sistem ekziston. Me sa di unë, nga dhjetë qarqet e mëdha në Shqipëri, socialistët kontrollojnë nëntë prej tyre, përfshirë Tiranën. Përjashtim bën vetëm Shkodra në veri. Socialistët kanë një barrë të rëndë për të mbrojtur këto vende. Jam i sigurt se anëtarët e Partisë Socialiste, që janë të zgjedhur për këto vende, ndoshta e shohin në interesin e tyre të bëjnë fushatë dhe të rizgjidhen. Nuk ka shumë kohë. Uroj që partitë nuk do t`i mbyllin rrugët për zhvillimin e zgjedhjeve. Në Tiranë shkoi para rreth dy javësh një mision vlerësues i ODIHR-it, dhe sipas tyre mekanizmat për zhvillimin e zgjedhjeve ekzistojnë. Tani ndoshta është tepër vonë për t`i bërë ndryshime sistemit zgjedhor për më 8 maj. Të gjitha partitë kanë shkelur disa afate, siç është ajo e regjistrimit të kandidatëve. Nuk është mirë, por ka ende kohë, ndonëse jo shumë”tha ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›