Konsultimet e fundit
Ramush Haradinaj do ta thotë edhe një herë fjalën e tij për koalicionin e mundshëm ndërmjet AAK’së dhe PDK’së.
Për të dëgjuar këtë qëndrim të liderit të AAK’së, të premten kanë udhëtuar për në Hagë, Nënkryetari Ahmeti Isufi, Shefi i Shtabit Zgjedhor, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Pejës, Ali Berisha.
Vizita e tyre bëhet katër ditë para certifikimit të zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat AAK’ja u rendit e katërta dhe tash shihet si parti që do të mund të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
Këshilltari i parë i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, ka sqaruar se vizita e zyrtarëve të partisë në Hagë ka karakter shoqëror, duke mohuar çdo implikim të Ramush Haradinajt në politikë.
“Vizita e zyrtarëve të tjerë të AAK’së në Hagë është njësoj sikurse vizita e parë që ka qenë vizitë private”, ka thënë Arifi për Express.
“Pra, vizita është krejtësisht private”, ka përsëritur ai.
Edhe anëtari i delegacionit të AAK’së, Kryetari i Pejës, Ali Berisha ka konfirmuar vizitën në Hagë, duke thënë se po shkojnë për vizitë private.
I pyetur se a do të ndikojë vizita në Hagë në ndryshimin e qëndrimit të AAK’së për koalicionin e ardhshëm, Ali Berisha ka thënë se vizita është miqësore, e jo politike.
“Është krejtësisht vizitë private dhe nuk ka karakter politik”, ka thënë Berisha, për Express, të premten.
Mirëpo, burime të Expressit brenda AAK’së sqarojnë se vizita e Isufit, Kuçit dhe Berishës ka edhe karakter politik.
Gjithnjë sipas burimeve, zyrtarët e AAK’së do të dëgjojnë për herë të fundit qëndrimin e Ramushit rreth koalicionit të mundshëm me PDK’në e Hashim Thaçit.
Tash për tash në AAK ekzistojnë dy qëndrime sa i përket hyrjes në koalicion me partinë fituese. Disa zyrtarë kanë dalë publikisht se janë pro bashkëqeverisjes me PDK’në, kurse një pjesë janë shprehur kundër koalicionit me partinë e parë.
Udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala ka propozuar koalicionin e gjerë PDK-LDK-AAK, ide kjo e hedhur poshtë nga shumica e partive dhe nga faktori ndërkombëtar.
Megjithëkëtë, Avni Arifi i AAK’së thotë se qëndrimi i partisë mbetet ai i mëhershmi - nuk ka koalicion me PDK’në.
Ai e lë hapur mundësinë që, pas ofertës së PDK’së, të mblidhen organet e partisë dhe të marrin vendim tjetër.
“Qëndrimi i AAK’së është kundër bashkëqeverisjes me PDK’në. Nëse PDK bën ofertë, ajo do të shqyrtohet në organet e partisë, ku do të merret edhe vendimi”, ka thënë Arifi.
Burime brenda AAK’së tregojnë se kjo parti është duke e shqyrtuar mundësinë që të mos e pranojë asnjërën prej posteve më të larta shtetërore, por të marrë më shumë ministri. Si arsye për këtë përmendet mungesa e liderit të AAK’së, i cili do të mund të merrte poste të larta shtetërore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 12 vende në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, duke u renditur e katërta. Ndërkaq, PDK’ja ka dalë partia e parë, e pasuar nga LDK’ja dhe Vetëvendosja, të cilat kanë thënë se përfundimisht nuk hyjnë në koalicion me Hashim Thaçin. Në kombinim për formimin e Qeverisë mbeten AKR’ja, AAK’ja dhe minoritetet.
Nuk janë takuar
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm, Daut Haradinaj, ka mohuar informatën e ditës së premte se ai është takuar me Kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi.
“Jo, nuk kam pasur kurrfarë takimi me Thaçin”, ka thënë Haradinaj për Express, të premten në mbrëmje.
Zyrtarët e PDK’së nuk e kanë mohuar as pohuar takimin e Thaçit me Haradinajn.
“Takime zyrtare, për koalicion, nuk ka pasur me askënd. Për takime të tjera jozyrtare të Kryeministrit nuk mund të pohoj as mohoj”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi.
Në dorë të Thaçit
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, ka sqaruar se krejt kompetencat për biseda për koalicione me partitë e tjera i ka Kryeministri Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se ofertë për bisedime, pas certifikimit të rezultateve, do t’iu dërgohet të gjitha partive. Edhe LDK’së dhe Vetëvendosjes.
Mirëpo, ai ka theksuar se pas ofertës për bisedime, do të dërgohet oferta për koalicione.
“Ne do t’ua dërgojmë krejt partive letrën për bisedime, por ftesa për biseda dhe ajo për koalicion dallojnë ”, ka thënë Kuçi për Express.
“Biseda zyrtare nuk ka pasur deri më tash. Kryeministri mund të jetë takuar me zyrtarë të partive të tjera, por unë nuk e di”, ka thënë Kuçi.
AAK me PDK në Prizren
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar edhe një partner për bashkëqeverisje në pushtetin lokal të Prizrenit. Të premten është arritur marrëveshja ndërmjet kësaj partie dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pritet që formalisht të nënshkruhet të shtunën.
Me PDK’në në Prizren janë në koalicion edhe Partia e Drejtësisë, AKR-ja, VAKAT e NDS të boshnjakëve dhe KDTP e turqve.