E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Shqiptarët të përkrahin reformat për integrimin

01/09/2011  Kryebashkiaku i Tiranës, Basha, pret ambasadorin amerikan në Tiranë

Basha: Bashkëpunim me ambasadën amerikane në shumë fusha

Nëse Shqipëria kërkon të realizojë integrimin e saj në Bashkimin Evropian, atëherë ajo duhet të ndjekë modelin e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Ky është mesazhi që ambasadori amerikan i akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dha dje pas takimit me kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Arvizu kërkoi sërish dje që aktorët kryesorë të politikës shqiptare, të tregojnë vullnetin politik, për të çuar përpara reformat që kërkon vendi, një rrugë që është ndjekur më parë nga Sllovenia dhe Kroacia. Por, tha ai më pas, edhe vetë shqiptarët duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në bindjet që ata kanë dhe në kërkesat që ata i drejtojnë liderëve të tyre. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë reformat, të ecin përpara dhe kjo duhet të jetë një përpjekje kombëtare. E di që njerëzit thonë se është e vështirë se ka ndasi politike, por fqinjët si Sllovenia dhe Kroacia e kanë kaluar këtë hendek, një mënyrë që të ecin drejt integrimit evropian dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos ndodhë në Shqipëri. Kjo u përket aktorëve politikë, që të kenë bindje dhe angazhim, por edhe shqiptarët duhet tua kërkojnë liderëve të tyre”, tha ambasadori Arvizu. Ambasadori e dha këtë deklaratë për mediat, në dalje të Bashkisë së Tiranës, ku zhvilloi mesditën e djeshme për rreth 60 minuta një takim me dyer të mbyllura me kryetarin Lulzim Basha.

Takimi Arvizu-Basha

Gjatë takimit kryebashkiaku i Tiranës e njohu diplomatin amerikan mbi planet e Bashkisë për mbrojtjen e konsumatorit, decentralizimin, reformat strukturore, reduktimin e barrierave fiskale, thithjen e investimeve të huaja, projektet në infrastrukturë etj. Për këto arsye “Ambasada amerikane ka një traditë të gjatë bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës dhe ne presim që të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha Arvizu, duke theksuar se synimi kryesor është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Tiranës, duke marrë parasysh që një e treta e popullsisë së gjithë vendit është përqendruar në këtë zonë. Ndërsa kryetari Basha theksoi se ka marrë mbështetjen e ambasadorit për bashkëpunim në shumë fusha, duke u shprehur se qeverisja lokale do të jetë transparente dhe efikase në shërbim të qytetarëve. “E informova për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore, në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë. Kërkova dhe mora mbështetjen e z. Ambasador, nëpërmjet programeve të ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha. E falënderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm, midis Bashkisë së Tiranës, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila po kështu, në vetvete dhe me të gjithë stafin e saj është një nga rezidentët e qytetit tonë”, – u shpreh Basha.

Bashkëpunimi

“Ne kemi gjithashtu një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me z. Kryetar të Bashkisë, gjatë të gjithë funksioneve që ai ka pasur më herët, si ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës që ai ka zhvilluar në Kosovë, kështu që presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të. Diskutuam gjatë mbi mënyrat, se si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës dhe kjo është një gjë tepër e rëndësishme, sepse edhe synimi i SHBA-së është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri dhe dukshëm 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në këtë qytet e rrethinat e saj”, - tha Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›