E Diel, 1 Nëntor 2026

Stresi. Akuza për gjobvënie

01/09/2011  Po udhëtonte drejt Maqedonisë për një koncert, prangoset

Arrestohet reperi i njohur me emrin “Stresi” në doganën e Qafë-Thanës

QAFË-THANË- Ka qenë duke udhëtuar drejt Maqedonisë, por nuk ka mundur të kalojë dot doganën e Qafë-Thanës. Pikërisht në këtë vend do të ndërpritej lëvizja e 24-vjeçarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe me pseudonimin “Stresi”. Këtë emër ai e përdorte në botën e muzikës, pasi ai njihej si një nga reperët më popullor në vend. Gjatë kontrollit të ushtruar në doganën e Qafë-Thanës, Policia Kufitare e Pogradecit i ka vendosur prangat. Për shkak të informacionit të rezervuar mbi arrestimin e Stresit, të cilat nuk bëjnë të njohura arsyet e ndalimit të tij burime të pakonfirmuara zyrtarisht pohuan se arrestimi i shtetasit Arkimed Lushaj, u krye pasi ai akuzohet për veprat penale të kanosjes me armë dhe gjobvënie.

Akuza

Stresi akuzohet nga Prokuroria për krime të rënda, për gjobvënie ndaj Leonard Bombajt personazh publik i njohur si regjisor dhe drejtues i një qendre artistike për fëmijë në kryeqytet. Apeli i Krimeve pranoi në maj të këtij viti kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë, arrest me burg, ndaj 4 shtetasve, mes tyre dhe Arkimed Lushaj. Sipas Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ata akuzohen për veprën penale të shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë në bashkëpunim. Hetimet, rrjedha e të cilave vuri nën akuzë, katër të rinj u nis nga Prokuroria e Tiranës në shtator të vitit 2010. Asokohe Prokuroria mori dy padi të ardhura nga komisariati nr 1. njëra e bërë nga Leonard Bombaj për kanosje ndaj tij. Padia e dytë drejtohej pikërisht ndaj Bombajt dhe e akuzonte atë për marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë. Për shkak të klasifikimit të veprës penale hetimi ka kaluar për kompetencë Krimeve të Rënda. Më 6 maj të këtij viti Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që të dyshuarit të hetoheshin në masën e sigurisë arrest në burg. Por shkalla e parë nuk e pranoi kërkesën dhe caktoi ndaj tyre detyrim paraqitjeje. Megjithatë, të dyja palët kanë pasur pretendime ndaj njëra-tjetrës, pasi edhe personat ndaj të cilëve u lëshua urdhër arresti, kanë akuzuar Leonard Bombajn për dhunim seksual ndaj një vajze 15 vjeç, e cila ishte e angazhuar në aktivitetet artistike të qendrës së drejtuar nga regjisori i njohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›