E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet faqja zyrtare e Wikileaks

01/09/2011  Zhduken dokumentet e publikuara nga Wikileaks për Shqipërinë

DASH: Kabllogramet rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe diplomacinë

“Wikileaksi” duket se e ka tepruar me dekonspirimet e saj të korrespondencës diplomatike amerikane në faqen e saj online të internetit. Ditën e djeshme websajti më i famshëm për publikimin e korrespondencës mes ambasadorëve të ambasadave amerikane në të gjithë botën me Departamentin Amerikan të Shtetit është sulmuar. Lajmi është bërë i ditur në rrjetin social Twitter dhe mendohet se është shpërndarë nga vetë Julian Asanzh, themeluesi i australian i faqes online. Mesazhi i përcjellë në Twitter është “Wikileaks.org është aktualisht nën sulm”. Një javë më parë Wikileaks publikoi, qindra dokumente për Shqipërinë, pjesë e korrespondencës së ambasadës amerikane në Tiranë me DASH-in. Mësohet gjithashtu se aktualisht në faqen e Wikileaks-it ndodhen vetëm 6 dokumente për Shqipërinë, ndërkohë që një ditë më parë rezultonin gati 700 kabllograme mes Tiranës dhe Uashingtonit. Në njoftimin e saj, organizata bëri me dije se ka pësuar sulmin informatikë gjatë natës së të martës, ndërsa po procedonte me publikimin e një vale të re mesazhesh diplomatike amerikane, të njohura ndryshe si kabllograme, mes të cilave edhe qindra të dërguara nga ambasada amerikane në Tiranë drejt Departamentit të Shtetit, që nga viti 2007 deri në 2010-ën. Nga ana tjetër DASH-I ka reaguar përmes zëdhënëses Viktoria Nuland, e cila shprehu shqetësimin për të dhënat e zbuluara nga dokumentet e klasifikuara. Ajo tha se publikimi i të dhënave apo dokumenteve sekrete jo vetëm kërcënojnë marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, por edhe përbëjnë rrezik për sigurinë e individëve. “Mbetemi të shqetësuar për këto publikime të paligjshme. Përveçse kjo ka dëmtuar përpjekjet tona diplomatike, kjo e vë sigurinë e individëve në rrezik, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe minon përpjekjet tona për të punuar me vendet për të zgjidhur problemet e përbashkëta. Vazhdojmë të monitorojmë çdo gjë që publikohet, si veprime për të zbutur dëmin ndaj sigurisë kombëtare dhe ndaj atyre individëve që mund të preken”,- tha zëdhënësja e DASH.

Vërtetësia

Në deklaratën e saj zëdhënësja Nuland nuk ka konfirmuar vërtetësinë ose jo të materialeve të publikuara nga Wikileaks, por është përqendruar në pasojat që ka publikimi i tyre. Reagimi vjen menjëherë pas publikimeve më të fundit të Wikileaks, i cili sipas ekspertëve gjithsesi është treguar i përmbajtur në publikimin e emrave. Pavarësisht kësaj, për SHBA-të publikimi i dokumenteve sekrete nga Wikileaks vë në rrezik jo vetëm sigurinë individuale, por edhe atë kombëtare.

Sulmi

Gjithçka ka ndodhur vetëm pak ditë, pasi në këtë faqe nisi publikimi i shumë kabllogrameve lidhur me zhvillimet në Shqipëri, nisur nga raportimet që ambasada amerikane në Tiranë i ka bërë Uashingtonit zyrtar. Si pasojë e këtij sulmi, janë zhdukur një numër i madh i dokumenteve që flisnin për Shqipëri, shifra e saktë e të cilave nuk dihet ende. Deri dje, në kë faqe numëroheshin rreth 700 dokumente për Shqipërinë, politikën, diplomacinë dhe ekonominë e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›