Arvizu: Takimi të jetë privat. Rama: Privatisht takohem vetëm me miqtë
Ambasadori Amerikan Alerksandër Arvizu, sugjeroi sot që një takim i mundshëm mesa Ramës dhe Berishës të kryhet privatisht dhe jo në publik. Ndoshta do të ishte mirë të kishim një takim privat mes tyre dhe më pas një debat publik, tha sot Arvizu. Reagimi i ambasadorit erdhi pas letrës së hapur që Rama publikoi duke kërkuar debat televiziv me kryeministrin e vendit.
Le të vijë e të mi thotë në sy ato që flet gojështhurrur larteposhtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pike nga 1-shi tek 10-ta. Le të vijë e të mi tregojë në sy para opinionit publik po të dojë të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare dhe ta debatojmë para shqiptarëve sesa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet. Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundërofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë, shkruan Rama në editorialin e tij të djeshëm.
Ndërkohë, ditën e sotme kreu i opozitës reagoi përmes një komenti të shkurtër. “Privatisht takohem vetëm me miqtë. Me Berishën takohem veç para shqiptarëve.”, mësohet të ketë thënë Rama.
Ndërkohë, kryeministri Berish nuk ka reaguar për këtë kërkesë publike.
