E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstremistët serbë hedhin beton në urën mbi Ibër

Mediat kosovare raportojnë se ekstremistë serbë kanë përforcuar barrikadat mbi lumin Ibër duke shkarkuar katër kamionë me zhavorr e duke e betonuar atë. Sipas medieve bandat e serbëve lokalë kanë betonuar barrikadën e ngritur në cepin verior të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Pas betonimit të barrikadës në këtë zonë të Mitrovicës ka kaluar naftë kontrabandë. Betonimi i barrikadës mbi lumin Ibër është bërë në orët e vona të natës së të shtunës.

Serbët ekstremistë e shkarkuan zhavorrin të ndihmuar edhe nga katër mikserë, që sipas medieve kosovare i takojnë kreut të krimit në veri Zvonko Veselinoviç.

Gjatë natës në veri të Kosovës është dëmtuar edhe një kamera e sigurisë e vendosur nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër. Aksioni i bandave kriminale serbe është vëzhguar nga ushtarët e KFOR-it, karabinierët italianë dhe Policia e Kosovës.

Serbët e rebeluar i kanë mbrojtur gjatë gjithë natës barrikadat, ndërkohë që pikat kufitare 1 dhe 31 kanë qëndruar të mbyllura për qarkullimin e automjeteve, pasi ekstremistët serbë kanë ngritur një tjetër barrikadë në Jarinje, nga ana e kufirit të Serbisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›