E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu-Volfart: Liderët të takohen më parë privatisht

03/10/2011  Ambasadorët shprehen të gatshëm të negociojnë për takimin Rama-Berisha

Rama kundër takimit të fshehtë, këmbëngul për debat publik

Ftesa publike e kreut të opozitës Edi Rama për zhvillimin e një përballjeje mediatike me kreun e mazhorancës Berisha është përshëndetur nga ana e diplomacisë ndërkombëtare në vendin tonë. Për ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, debati publik mes dy liderëve kryesorë politikë është i vonuar, por sipas tij, gjithnjë ka vend për një të tillë. “Ndoshta do të ishte më mirë të kishin një takim privat mes tyre dhe më pas një debat publik. Thjesht kam dëgjuar për propozimin e z. Rama, nuk kam hollësi specifike lidhur me këtë propozim, dhe mendoj se shumë njerëz e dinë që kisha pritur që të kishte më shumë debate gjatë zgjedhjeve në maj. Sa i përket diskutimeve mes drejtuesve të politikës është e natyrshme dhe ide e mirë.”, - u shpreh dje ambasadori Arvizu, gjatë ceremonisë të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës së SHBA në Tiranë. “Jam i gatshëm që këtë takim ta bëjnë në shtëpinë time dhe i pranishëm të jetë edhe ambasadori Sequi. Nëse mund të ndihmojmë për të afruar palët, do ta bëjmë”, – shtoi më pas Arvizu. Ndërsa, për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart ftesa e Ramës është një ide shumë e mirë. “Mbështes dhe mirëpres çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Është shumë e rëndësishme që të ketë dialog. Duhet të rinisë dialogu mes partive politike, dialog që duhet të zhvillohet në Parlament dhe që duhet të përqendrohet tek reforma zgjedhore”, u shpreh dje ambasadori Volfart.

Reagimi i Ramës

Përmes një komenti të shkurtër në blogun e tij personal pasditen e djeshme, kreu i opozitës, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorëve për debatin me Berishën, duke theksuar se takimin me Berishën e pret para shqiptarëve. Në mesazhin e tij, Rama mohon mundësinë e një takimi të fshehtë me kreun e mazhorancës, ashtu si kërkoi ambasadori amerikan Arvizu, për një takim privat mes Ramës dhe Berishës. Për herë të parë gjatë drejtimit të partisë më të madhe opozitare, në një editorial të tijin, publikuar dy ditë më parë kryesocialisti kërkoi të parin debat publik me kryeministrin Berisha. Debat i cili në 6 vitet e tij si kryetar i Partisë Socialiste, nuk është zhvilluar asnjëherë.

Ftesa e Ramës

Kryetari i opozitës, Edi Rama, në një shkrim të radhës të publikuar në shtypin e djeshëm ka kërkuar një përballje publike me Kryeministrin Berisha për paktin e tij me 10 pika për integrimin e vendit. Rama i kërkon Kryeministrit që të dalin para shqiptarëve e të argumentojnë përse duhet pranuar propozimi i PS-së dhe të ballafaqojnë alternativat e tyre.

Ftesa e Berishës

Dy vjet më parë liderit socialist i janë bërë ftesa të shumta nga ana e shefit të mazhorancës për një përballje publike mes tyre në prag të zhvillimit të garës elektorale të 2009-ës, por që nuk janë pranuar prej këtij të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›