Arvizu, apel politikës: “Siguroni zgjedhje të lira e të ndershme

Ambasadori SHBA-së prezantoi mbështetjen prej 1 milion dollarë për zgjedhjet e 23 qershorit
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë prezantimit të mbështetjes së Ambasadës Amerikane për zgjedhjet parlamentare 2013 në Shqipëri, i rikujtoi klasës politike porosinë e sekretares amerikane të shteti Hilari Clinton, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në mënyrë që të rritet besimi tek shqiptarët por edhe në sytë e botës.
“Në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, votuesit shqiptarë duhet të kenë një interes aktiv dhe konstruktiv për procesin zgjedhor. Gjithashtu, partitë politike, qeveria e Shqipërisë dhe palë tjera institucionale - këtu përfshij specifikisht gjykatat - të gjithë duhet të angazhohen në mbështetje të rezultateve të lira, të ndershme dhe transparente. Sikurse Sekretarja Klinton iu tha deputetëve në fjalimin e saj në parlament në nëntor 2012: ‘Siguroni që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit e tyre’. Është shumë e qartë, që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë të suksesshme do të varet nga ju: populli shqiptar dhe udhëheqësit tuaj. Një rezultat i pranueshëm do të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Sekretari ynë i ri i Shtetit John Kerry vuri në dukje rëndësinë e kompromisit ndërmjet partive politike në cilëndo demokraci, në komentet gjatë vizitës së tij të fundit në Egjipt. Ai theksoi, ‘duhet të ketë vullnet nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota mbi çështje që kanë më shumë rëndësi për … popullin’” u shpreh Arvizu.
Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan theksoi se qeveria ka detyrim të garantojë zgjedhje transparente dhe në përputhje me kushtetutën dhe kodin zgjedhor. Ambasadori amerikan vlerësoi se kompromisi dhe gjithëpërfshirja janë dy kushtet kyçe për suksesin e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Asistenca jonë prej mbi 1 milionë dollarësh do të përqendrohet në tri fusha: e para, asistencë teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); e dyta, nxitja e vëzhgimit vendor të zgjedhjeve; e treta, nxitja e angazhimit qytetar në procesin zgjedhor”, shtoi Arvizu.