Berisha: Do mbetemi qeveri e taksave të ulëta - taksa progresive, shkatërrimtare për punësimin
Investitorët e huaj në Shqipëri: Të shqetësuar nga debatet për taksën progresive
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me përfaqësues të biznesit të huaj, që operojnë në Shqipëri, i garanton për lehtësira të mëtejshme për rritjen e investimeve dhe zhvillimin e biznesit
Biznesi i huaj në Shqipëri i shprehu dje kryeministrit Sali Berisha shqetësimin lidhur me taksën progresive, pas debateve të sponsorizuara nga opozita për ndryshimin e sistemit të taksave nga tatimi 10 %, tek ai progresiv.
Gjatë një bashkëbisedimi me kryeministrin Berisha, kryesisht mbi reformën fiskale dhe klimën për biznes dhe investime, 150 përfaqësues të bizneseve të huaja që operojnë në Shqipëri u shprehën të shqetësuar nga taksa progresive dhe kërkuan opinionin e kryeministrit, se çfarë ka në plan qeveria, për ta bërë më miqësore klimën e biznesit. Kreu i ekzekutivit i garantoi investitorët se qeveria do të bëjë përpjekjet më maksimale për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës dhe më të sigurt për investitorët e huaj dhe vendas.
Kryeministri informoi të pranishmit me masat e qeverisë për lehtësimin e zhvillimit të biznesit. Sipas tij, Shqipëria do mbetet vend i taksave të ulëta, ndërsa e cilësoi taksën progresive të mbështetur nga Partia Socialiste, si “goditja shkatërrimtare për procesin e punësimit të qytetarëve shqiptarë”.
“Unë kam bindjen më të thellë se paratë në konton e biznesmenëve janë shumë më të vlefshme për shoqërinë, se sa paratë në konton publike. Bazuar në këtë parim nuk do të ketë në mënyrë absolute rritje të taksave. Ju jeni dëshmitar se unë i kam rezistuar çdo lloj presioni në këtë drejtim nga kushdo qoftë. Unë mendoj se Shqipëria ka pasur avantazhin e saj më të madh në vendosjen e taksës së sheshtë dhe uljen e taksave. Ju siguroj se asnjëherë ose në mënyrë të përditshme mendoj se çfarë të ulim më shumë dhe asnjëherë se çfarë të rrisim më shumë. Kjo politikë ka pasur rezultate të shkëlqyera për ne. Nga viti 2006 e deri më sot, ne kemi inkasuar në arkën publike 9,2 miliardë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë në vitin kulmor para nesh. Dhe këto të ardhura bënë të mundur një sipërmarrje shumë të gjerë transformuese të infrastrukturës në Shqipëri, për të cilën ju jeni dëshmitarë. Ju them sinqerisht se ndihem i gëzuar kur arritëm të heqim taksën mbi kapitalin. Parashikoj se do të ketë një deficit në buxhet këtë vit, por kam bindjen më të thellë se kjo do të shoqërohet në periudhën e mëtejshme me një rigjallërim të ri të biznesit. Taksa progresive, e cila qarkullon sot si version është për mendimin tim një gabim shumë i madh, sepse në qoftë se ka një vend që e ka pësuar në mënyrën më klasike, nga taksa progresive, është Shqipëria. Por po e lëmë të shkuarën e saj. Taksa progresive do të kulmonte informalitetin, për të cilët ju ngritët shqetësimin dhe taksa progresive do të ishte mesazhi më i gabuar që ne ju jepnim investitorëve të huaj nga mbarë bota. Por do të ishte dhe një akt pabesie ndaj jush, sepse ju erdhët me mendimin se do të kishte një kuadër ligjor miqësor ndaj jush. Ju e dinit që në Shqipëri do të përballeshit me vështirësi të shumëllojta por ju kishit një avantazh që ishte taksa e sheshtë. Pra, të gjithë këto dhe taksa progresive do të ishte një goditje shkatërrimtare për procesin e punësimit të qytetarëve shqiptarë. Unë kam besimin më të madh se shqiptarët do të thonë fjalën e tyre të vendosur kundër kësaj takse. Ne kemi bërë këto kohë reformat e reja. Këto ditë votohet në parlament për heqjen e taksës mbi çdo lloj kapitali, votohet në parlament për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë rrogat nën 30 mijë lekë. Ju siguroj se në të ardhmen ne jemi të vendosur të studiojmë mbi regjime të tjera, të cilat nuk mund në asnjë rast të shënojnë rritje, por vetëm ulje”, u shpreh kryeministri.
Vonesat në rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ishte një tjetër shqetësim i ngritur nga biznesi. Rimbursimi i TVSH-së për ne përbën një problem sepse na bën që të ulim kapacitet tona investuese dhe prodhuese dhe për këtë arsye kemi mungesa në likuiditet. Për këtë, kryeministri tha se në çdo rast abuzimi, do të ketë penalitete.
“Jemi të gatshëm të vendosim formën më të sigurt dhe më të shpejtë të disbursimit të saj. Të vendosim autoritetin tatimor para penaliteve ligjore, në qoftë se ata e shtyjnë disbursimin pa motiv ligjor. Nëse ligji mungon, në këtë rast, ne do të vendosim ligjin. Nuk mundet kurrë shteti të kërkojë borxhe, po nuk i pagoi borxhet. Shteti duhet të paguajë, duhet të jetë shembull dhe jam plotësisht dakord me ju. Kjo është plotësisht e mundshme dhe nëse ka një boshllëk ligjor, do të rivendoset me vendosmëri”- vijoi ai. Ndër investitorët kryesorë në vend janë bankat. Në kohë krize nuk ka shqetësim më të madh për to se kreditë e këqija. Kryeministri dha një këshillë për këtë çështje. “Bankat të mos bëjnë asnjë negocim me borxhlinjtë e këqij, por të veprojnë për të marrë kolateralin sepse negociatat krijojnë precedent”, sugjeroi ai. Në përfundim kryetari i qeverisë i nxiti bizneset të mos stepen në zgjerimin e aktivitetit të tyre. U tha se reformat që po ndërmerren se fundmi me heqjen e TVSH se makinerive të importit apo të taksave për çdo të punësuar të ri, kanë si qëllim kryesor përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe reformën e thellë në tregun e punës.
Reformat, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit
Kryeministri Berisha parashtroi projekt reformat që parashikon forca e tij politike në katër vitet e ardhshme në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Në vlerësimin e tij, liria ekonomike është promotori i zhvillimit ekonomik. “Ne i besojmë lirisë ekonomike. Liria ekonomike është dhe mbetet promotori kryesor i zhvillimit ekonomik. Liria fiskale është liria kryesore midis të gjitha varianteve të lirisë ekonomike. Shqipëria ka nevojë jo të ecë, por të vrapojë dhe të fluturojë për të kapur kohën e humbur dhe në këtë kontekst investimet e huaja janë vendimtare për arritjen e këtij qëllimi. Për ne investimet e huaja do të thonë punësim dhe unë dua tu siguroj ju se qëllimi më madhor i të gjitha reformave që ndërmerr kjo qeveri është punësimi, sepse për njeriun, për qytetarin nuk ka arritje më të madhe, se sa të garantojë në kushte lirie, një vend pune të përshtatshëm, me një rrogë të përshtatshme. Investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të madh në punësimin e shqiptarëve. Kriza në rajon dhe më gjerë nuk do të jetë një krizë afatshkurtër, por unë besoj se ne dëshmojmë imunitet në këto 4 vite. Kjo nuk mjafton, ne në 4 vitet që vijnë duhet ti japim një shtytje të re punësimit dhe rritjes ekonomike. Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike për tu shfrytëzuar, ka potenciale të mëdha minerale, ka potenciale të mëdha energjetike, por potenciali më i madh është krahu i punës, më i shkëlqyer në Europë, një krah pune i ri , dinamik, që punon shumë. Dhe unë ju garantoj ju, se në 4 vitet që vijnë ne do të ndërmarrim në këtë vend reformat më të thellë të tregut të punës, për ti dhënë atij fleksibilitetin më të lartë, sepse kriza fakton se tregu i punës si i tillë është një faktor më vete për thellimin e saj. Praktika të vendeve europiane kanë faktuar se tregu i punës, reformimi i tij për të njëjtën shkallë rritje ekonomike jep shkallë të ndryshme punësimi, ndaj dhe ne do të angazhohemi së bashku në një reformë të thellë të tregut të punës, e cila do ta bëjë atë një nga tregjet më fleksibël në botë”, deklaroi Berisha.
Katër vitet e ardhshme, 6 miliard dollarë investime të huaja
Në vlerësimin e kryeministrit, Shqipëria ka marrë katër vitet e fundit mbi 1 miliard dollarë investime të huaja, ndërsa për katër vitet e ardhshme synimi është për thithjen e plot 6 miliard dollarë investime të huaja.
“4 vitet e fundit Shqipëria ka arritur të ketë çdo vit mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja. Ekspertët çmojnë se potenciali i saj është deri në 2 miliard në vit. Qëllimi ynë për 4 vitet që vijnë është realisht objektiv. Ne duam që në krye të 4 viteve Shqipëria të ketë marrë 6 miliardë investime të huaja. Ne e bazojmë këtë objektiv në një paketë të re fiskale që kemi ndërmarrë kohët e fundit dhe që do të ndërmarrim gjatë muajve që vijnë”, theksoi më tej kryeministri Berisha.