E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu ka vetëm një mesazh!

Ai kërkoi përmbushjen e reformave për integrimin në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, reforma këto që kërkojnë edhe bashkëpunimin e opozitës.

"Meqë synimi i Shqipërisë është integrimi në BE nevojiten përpjekje të shumta të mëtejshme. Tani është koha që partitë politike ta angazhojnë veten ndaj dialogut dhe të ripërqëndrojnë përpjekjet e tyre për të ecur përpara drejt një agjende kërkuese politike dhe ekonomike, që përfshin shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformën zgjedhore", tha Arvizu.

Sipas tij, "që prej tryezës së rrumbullakët Qeveri-Donatorë dhjetorin e kaluar, kanë kaluar ngjarje të rëndësishme. Në muajin gusht raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit vërejti se ndonëse pati aspekte pozitive të zgjedhjeve, që përgatitën kushtet për progres në të ardhmen, ky progres kushtëzohet nga vullneti i të gjitha partive parlamentare për t’u angazhuar në reformën zgjedhore". "Në muajin tetor Komisioni Evropian paraqiti opinionin e tij të 2010-ës mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Sipas opinionit, ndonëse u bë përparim gjatë vitit të shkuar në disa prej 12 prioriteteve kyç të identifikuara në opinion mbi kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë në BE, kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk janë plotësuar ende", theksoi ambasadori i SHBA-së. Ai shtoi se "të gjithë donatorët supozojnë që qeveria do të udhëhiqet nga opinioni i Komisionit Evropian për punën e saj në të ardhmen. Ata do të mbeten të gatshëm për ta ndihmur qeverinë në përmbushjen e saj në të gjithë planet për të ardhmen, që burojnë prej këtyre rekomandimeve".

Sipas ambasadorit Arvizu, "brenda komunitetit të donatorëve, viti i kaluar ka qenë një periudhë vlerësimesh dhe ripozicionimi". "Gjatë vitit të shkuar ne si donatorë vlerësuam progresin drejt detyrimeve tona në përmirësimin e efikasitetit të ndihmës për vendet në zhvillim. Plotësimin e sondazhit të OECD-së për vitin 2011, që analizon efikasitetin e ndihmës në Shqipëri gjatë viteve 2005-2010. Kemi përmirësuar standardet dhe procedurat për zhvillimin e grupeve sektoriale të punës”, tha Arvizu .

Ai bëri të ditur se në fund të këtij muaji Shqipëria do të marrë pjesë në forumin e 4-t të nivelit të lartë mbi efektivitetin e  ndihmës, në Korenë e Jugut, që do të shqyrtojë përparimin botëror për përmirësimin dhe efikasitetin e ndihmës, si dhe në transformimin e ndihmës mes donatorëve dhe partnerëve me mjete për bashkëpunim dhe zhvillim. "Pas këtij takimi bashkësia e donatorëve do të mirëpresë prezantimin e drejtores Kuko për raport progresin mbi monitorimin e axhendave të Parisit dhe të Akrës për vitin 2011, si dhe vlerësimin e saj se si komuniteti i donatorëve mund të harmonizojë më tej ndihmën e programeve të jashtme për të zvogëluar mbivendosjen dhe për të ulur kostot e transaksioneve", tha ambasadori i SHBA. Tryeza e rrumbullakët Qeveri-Donatorë, u organizua nga qeveria shqiptare, e cila përfaqësohej nga ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo. /Start/

                                                                                             2011-11-01 13:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›