E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu në Vlorë: E rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen më 8 maj

03/03/2011  Ambasadori amerikan në Shqipëri, Arvizu, ka qenë dje në Vlorë, ku ka marrë takime me kreun e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, prefektin Eduard Velçani dhe më pas në këndin amerikan, që ndodhet në bibliotekën e qytetit, ku ka pranuar të flasë edhe për zhvillimet në Shqipëri, ku u ndal kryesisht te zgjedhjet. Duke iu përgjigjur interesimit të medieve, Arvizu tha se ajo që ndodhi më 21 janar ishte një gjë e tmerrshme për vendin. “Katër persona vdiqën atë ditë. Në opinionin tim ata nuk duhej të kishin vdekur. Kishte mbi 100 të plagosur, kishte qytetarë dhe kishte policë. Dhe nëse e shikoni videon, në fillim të demonstratës duket qartë se policia u sulmua. Por ajo që është e rëndësishëm për mua dhe për Shtetet e Bashkuara është se hetimi po zhvillohet. Prokuroria duhet lënë të hetojë në mënyrë të paanshme. Me anë të ftesës së prokurores, ne si ambasadë po japim ndihmesën tonë për të ndihmuar ekipin. Ne kemi punuar shumë ngushtë me të dhe me të vërtetë e mbështesim shumë, që ky hetim të bëhet sa më shpejt. Është shumë e rëndësishme që ky hetim të bëhet në mënyrë të drejtë, të logjikshme dhe sa më shpejt. Është e rëndësishme që ky hetim të vazhdojë pa ndërhyrje. Dhe kjo u tha në mënyrë jashtëzakonisht të qartë nga zëvendëssekretari i shtetit Shtajner, që ishte për vizitë javën që shkoi. Në lidhje me atë çka ambasadori bisedoi me përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe vendor në Vlorë, Arvizu tha: “Në takimet e mia që pata përfaqësuesit, sigurisht që biseduam për çështje politike, por për sa i përket kuadrit të zgjedhjeve lokale dhe kuadrit të zonës së Vlorës. Por do të doja të thosha vetëm një observim, të cilin e kam vënë re për sa u përket zgjedhjeve të majit. Shtetet e bashkuara kanë ndjekur dhe mbështesin faktin se është shumë i rëndësishëm që këto zgjedhje të zhvillohen më 8 maj, siç e kërkon kushtetuta shqiptare, dhe për mua është e rëndësishme dhe me shumë kuptim ta them këtë jashtë Tiranës, në Vlorë, që nuk është kryeqyteti i Shqipërisë. Sepse është një mundësi për qytetarët, në rastin tonë qytetarët e Vlorës, të zgjedhin drejtuesit e tyre. Para 20 vjetësh shqiptarët larguan komunizmin dhe nuk duan ta shohin atë përsëri. Populli shqiptar ka fituar të drejtën për të zgjedhur drejtuesit, liderët e tij. Dhe jemi të gjithë koshientë se ka pasur disa probleme dhe më parë në lidhje me zgjedhjet. Por ja që dhe në Amerikë kemi probleme. Gjëja e rëndësishme është që kto zgjedhje të jenë më të mira se ç’kanë qenë. Dhe zgjedhjet e vitit 2013 duhet të jenë më të mira se ç’kanë qenë ato të 2011-s. Ato do të përmirësohen dhe të bëhen më të mira vetëm në qoftë se njerëzit punojnë që ato të jenë më të mira. Dhe shqiptarët e meritojnë të ketë zgjedhje të mira. Dhe unë shpresoj se ju do të keni mundësinë të vizitoni faqen e ambasadës në ueb. Javën e kaluar pati një deklaratë për sa i përket ndihmës që shteti amerikan do të japë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Gjithashtu do të shpallet një konkurs për sa i përket sloganit më të mirë për zgjedhjet e 8 majit. Por zgjedhjet dhe politika duhet të merren shumë seriozisht. Ato duhet të japin një zgjidhje. Shqiptarët e meritojnë një të tillë dhe kanë fituar të drejtën të marrin këto vendime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›