E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu takon Burgajn, ja plani i policisë për zgjedhjet

Tiranë- Mbi 6 mijë punonjës policie do të përfshihen në procesin elektoral të 8 Majit, sipas një plani të detajuar të ndarë në katër faza. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka takuar dje ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, të cilin e ka informuar për masat e marra për përballimin e fushatës zgjedhore. Gjatë këtij takimi ambasadori amerikan ka vlerësuar planin e detajuar të policisë, por edhe rolin e saj të deritanishëm në përballimin e incidenteve parazgjedhore. “Në raportet e OSBE-ODIHR-it është paraqitur roli shumë pozitiv i policisë dhe unë jam dakord me këto raporte, pasi kam konstatuar që në shumë raste policia është gjendur mes dy palëve me bindje të ndryshme politike dhe puna e kryer për zgjidhjen e këtyre situatave nga Policia e Shtetit rezulton pozitive. Punonjësit e policisë kanë manifestuar një qëndrim pozitiv ndaj punës së tyre, detyrës dhe ligjit” – theksoi Arvizu gjatë takimit me kreun e Policisë së Shtetit. Gjatë bisedës së zhvilluar z. Burgaj tha se në zbatim të detyrave institucionale, të përcaktuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, Kodin Zgjedhor, si dhe udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në fillim të muajit mars është hartuar dhe dërguar për zbatim pranë strukturave qendrore dhe vendore të policisë, programi i punës. “Në kuadër të këtij programi, janë marrë një sërë masash tekniko-organizative, përmes të cilave janë përcaktuar detyrat e strukturave qendrore dhe vendore të policisë për procesin zgjedhor”, - i tha Burgaj ambasadorit amerikan, duke e informuar atë se janë hartuar detyra konkrete për të gjitha shërbimet e policisë. Më tej Burgaj shtoi se garantimi i procesit zgjedhor nga ana e policisë kalon në 4 faza dhe gjatë secilës prej tyre janë përcaktuar detyrat konkrete për strukturat e policisë. Sipas Burgajt, faza e parë e programit për zgjedhjet është përmbushur, kohë kur janë përgatitur aktet administrative dhe planifikimi i detyrave. Sipas kreut të Policisë, Hysni Burgaj, një proces mjaft i rëndësishëm për këtë fazë ishte trajnimi i punonjësve të policisë, që do të angazhohen me detyra zgjedhore, ku në përfundim të këtij procesi u trajnuan 6327 punonjës. Burgaj ka informuar ambasadorin se çdo punonjës policie do të pajiset me librin e xhepit, ku ndodhen të gjitha detyrat gjatë procesit zgjedhor, botim i realizuar në bashkëpunim me OSBE-në. “Qëllimi i kësaj parapërgatitjeje ishte jo vetëm ruajtja e standardeve të arritura në zgjedhjet e 2005-s, 2007-s, 2009-s, por dhe t’i çojmë më tej këto standarde”, - theksoi z. Burgaj. Gjatë takimit kreu i Policisë së Shtetit i ka kërkuar ambasadorit Arvizu që puna e policisë gjatë procesit zgjedhor të monitorohet nga ICITAP, duke e cilësuar këtë proces një ndihmesë me vlerë për punën e policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›