E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishi mitingun e PS-së, policia shoqëron Emiliano Shullazin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 23-04-2011 09:54

Tiranë- Pak muaj pas lirimit, personazhi i njohur për të shkuarën e tij, Emiliano Shullazi, përfundon sërish në polici, këtë radhë për prishjen e një takimi elektoral të Partisë Socialiste. Policia e Tiranës njoftoi dje se ka shoqëruar 32-vjeçarin Emiliano Shullazi, pas kallëzimit penal që dy deputetë të PS-së kanë depozituar kundër tij, duke e akuzuar për shkatërrimin e bllokut të fonisë në një takim elektoral, ku ishin të pranishëm edhe deputetët. Pasi është mbajtur disa orë në ambientet e policisë, prokuroria ka vendosur të lirojë Shullazin, pasi vepra penale që dyshohet se ka kryer nuk parashikon masë shtrënguese. Incidenti elektoral me protagonist Emiliano Shullazin ndodhi pasditen e së enjtes, kur deputetët e PS-së, Besnik Bare dhe Vasilika Hysi, kanë qenë duke zhvilluar një takim me simpatizantë të kësaj force politike në njësinë nr.7 në kryeqytet. Shullazi akuzohet se ka hyrë në lokalin ku zhvillohej takimi elektoral, duke hequr mikrofonin dhe shkatërruar foninë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30’ të së enjtes në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në ambientet e një lokali ku po zhvillohej takimi elektoral i kandidatit të PS-së për minibashkinë nr.7, Erjon Koka. “Autori dyshohet se ka penguar Partinë Socialiste, duke hequr mikrofonin dhe njëkohësisht qendrën e zërit” - tha zyrtarisht Policia e Tiranës. Sipas zëdhënëses Alma Katragjini, bëhet me dije se shërbimet e komisariatit nr.2 në kryeqytet fillimisht kanë bërë të mundur identifikimin e personit të denoncuar nga dy deputetët e PS-së, i cili menjëherë është shpallur në kërkim, ndërsa pasditen e djeshme është shoqëruar për disa orë në komisariat. Lidhur me këtë ngjarje, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila ndodhej në takim, tha se gjithçka ka ndodhur kur mbledhja ka qenë në përfundim. Sipas saj, një person fillimisht i panjohur ka hyrë në ambientet e lokalit ku ndodheshin rreth 100 persona dhe ka hequr mikrofonin, ndërsa më pas ka dëmtuar bllokun e fonisë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, deputetët Bare dhe Hysi i janë drejtuar policisë dhe prokurorisë me një kallëzim penal ndaj personit që pengoi zhvillimin e takimit elektoral, i cili është identifikuar menjëherë nga policia. Mbrëmjen e së enjtes, shërbimet e komisariatit nr.2 kanë referuar në prokurori materialet ndaj Emiliano Shullazit, i cili akuzohet si personi që ka dëmtuar audion në mbledhjen e simpatizantëve të PS-së. Pasditen e djeshme, me vendim të prokurorit është urdhëruar lirimi i Emilano Shullazit, i cili dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale “pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Sipas burimeve, mësohet se i pranishëm në takim ka qenë edhe kandidati i PS-së për minibashkinë nr.7, Erjon Koka. Vetëm pak ditë më parë, në derën e apartamentit të kandidatit për njësinë nr.7, Erjon Koka, u vendos një sasi eksplozivi, i cili fatmirësisht nuk shkaktoi dëme në njerëz. Koka pohoi për mediat se ngjarja kishte lidhje me kandidimin e tij për kryetar të njësisë nr.7, ndërkohë që policia nuk e ka zbuluar ende autorin e vendosjes së tritolit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›