Kritikat e ambasadorit holandez: Kandidatët ushtrojnë dhunë
Ambasadori holandez Van Den Dool ka shigjetuar kritika të ashpra drejt klasës politike shqiptare, si dhe ka përshkruar me nota të zymta përballjen elektorale mes kandidatëve. Nga qyteti i Korçës, ku ndodhej në një takim me studentët e universitetit, ambasadori holandez tha se njerëzit mund të mos gjejnë arsye për të votuar kur shikojnë ngjarje si ajo 21 Janarit, korrupsionin apo dhunën në Parlament. “Palët duhet t'i përgjigjen apelit të Komisionit Europian për zgjedhje të ndershme dhe përgjegjshmëri”, - tha Van Den Dool gjatë bashkëbisedimit me studentët. Ambasadori holandez nuk i ka kursyer kritikat edhe për sjelljet e kandidatëve në fushatë, duke dënuar dhunën. “Mjafton të hapësh gazetat e shembujt e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin të përplasen në fytyrë. Mjafton të ndezësh televizorin dhe të jesh dëshmitar i gjuhës fyese, dhunës fizike në Parlament, kandidatët ushtrojnë dhunë ndaj njëri-tjetrit, si dy javë më parë dhe politikanët e të gjitha palëve vazhdojnë të flasin për të gjetur gjuhën e zgjidhjes për këto debate” - tha ai. Ambasadori ka shprehur keqardhjen për katër personat e vrarë në bulevard më 21 Janar, në një kohë që vendi duhet të shikojë proceset e integrimit europian. “Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara në Shqipëri kanë qenë të kontestueshme, por, edhe pse ka pasur këshillime për një proces demokratik, ka persona të cilët nuk shqetësohen aspak të refuzojnë të marrin pjesë në mënyrë demokratike në zgjedhje, por janë të gatshëm ta shesin votën e tyre”, - tha Van Den Dool. Ai shtoi më tej se Komisioni Europian po bën thirrje për nevojën e përgjegjshmërisë e dialogut konstruktiv në Shqipëri.