As AAK nuk ndërron mendjen

Zhvillimet e fundit në skenën politike, pas aktgjykimit të Kushtetueses se zgjedhja e Behgjet Pacollit për president ishte jo kushtetuese kanë shtyrë që të mblidhet në një takim Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të dielën.
Në këtë takim që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është marrë ndonjë qëndrim sa i përket hapave të mëtejmë që do të ndiqen lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë se në takim është biseduar
për situatën aktuale dhe zhvillimet politike aktuale në Kosovë, por nuk ka dashur të komentojë nëse në takim është diskutuar për mundësinë e pjesëmarrjes së AAK-së në seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në korrent me ngjarjet dhe e ruan këtë kontinuitet. Situata nëpër të cilën po kalojmë është shumë serioze dhe natyrisht si parti politike qasemi shumë seriozisht për të mirën e vendit.
Nuk mund të flasim për këtë moment për një vendim të tillë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta marrë seriozisht edhe këtë çështje, sigurisht që organet më të larta dhe më të rëndësishme të partisë do të mblidhen, flas për kryesinë, këshillin drejtues”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Për më tepër, Luma ka bërë të ditur se në takimin e Këshillit Drejtues nuk është diskutuar lidhur me mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në, ndërsa ka përsëritur se AAK-ja do të bojkotojë seancën për zgjedhjen e presidentit në rast se Behgjet Pacolli do të jetë sërish kandidat për president.
“Qëndrimi i deritashëm zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është mospjesëmarrja në seancën parlamentare deri në një moment tjetër, në ndërkohë derisa zotëri Pacolli do të jetë kandidat për president të Kosovës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancë”, ka thënë ai.
Sipas Lumës, çështja e ndryshimit të nenit kushtetues, i cili i referohet presidentit si rrugëzgjidhje nga kriza duhet të jetë pjesë e diskutimeve dhe konsultimeve të gjera të të gjitha partive politike.
“Këto janë çështje që duhet të diskutohen më vonë dhe në vazhdimësi dhe me një konsultim më të gjerë. Nuk është momenti dhe mënyra për të dhënë një përgjigje të tillë”, është shprehur Luma.