Topalli mbështet fillimin e dialogut teknik

Në përfundim të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, Zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri është takuar me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit të Kosovës, në këtë takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve me theks të veçantë në politiken e jashtme, në diplomaci dhe në sigurinë nacionale.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke e uruar Edita Tahirin për detyrat e reja si Zëvendëskryeministre dhe si udhëheqëse e dialogut teknik tha se është shumë e qëlluar përzgjedhja e Tahirit në këtë pozitë duke marrë për bazë përvojën e gjatë politike dhe nivelin e lartë akademik që ajo ka.
Më pas Topalli tha se Kuvendi i Shqipërisë mbështetë fillimin e këtij dialogu teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe se kjo do të ndihmojë për zgjidhjen e çështjeve teknike që lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy vendet, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ajo theksoi se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se integriteti i kufijve të saj është i pacenueshëm.
Në anën tjetër Zëvendëskryeministrja Tahiri në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderoi Republikën e Shqipërisë për mbështetjen që i ka dhënë pavarësisë dhe zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës. Ajo vlerësoi kontributin e lartë të Kryetares së Kuvendit Topalli për bashkëpunimin e ngushtë në mes të dy vendeve dhe në veçanti për angazhimin e saj për shtimin e njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës.
Duke folur për dialogun teknik të filluar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Edita Tahiri tha se Kosova ka hyrë në këtë dialog për të realizuar obligimet e saja ndërkombëtare që dolën me rezolutën e OKB-së dhe se përmes kësaj Republika e Kosovës po e ushtron sovranitetin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo tha se ky dialog do të mbetet në suazat e karakterit të tij teknik dhe është shumë e rëndësishme që e ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, BE-së dhe OKB-së.
Në fund të takimit të dy bashkëbisedueset u dakorduan që dialogu teknik është një shans për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit. Ky dialog do të kontribuoj drejtë një fqinjësie të mirë dhe i mundëson Kosovës integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO, dhe me gjerë. Ato u zotuan për thellimin e bashkëpunimit me interes për të dyja vendet.