E Diel, 1 Nëntor 2026

As Kina nuk e do Ari Hanin, Hongbo trajneri i ri

Askush nuk dëshiron të ketë trajnerin Ari Han në krye të skuadrës. Madje as Kina, Kombëtare të cilën holandezi e ka drejtuar nga dhjetori 2002 deri më nëntor 2004. Menjëherë pas largimit nga stoli i përfaqësueses shqiptare, 60-vjeçari doli përpara mediave duke deklaruar se do të rikthehej aktiv në futboll brenda një kohe shumë të shkurtër. Në tentativë për t‘i rritur vlerat vetes, ai ka reklamuar se kishte "kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Federatës Kineze të Futbollit. Ata kanë mbetur të kënaqur nga puna ime e mëparshme dhe më kanë ofruar të kthehem sërish". Megjithatë, dobësitë taktike që "tulipani" shfaqi në krye të kuqezinjve, duke mos arritur të ngrejë skuadrën në nivelet e kërkuara, nuk kanë kaluar pa rënë në sy edhe në Lindjen e largët. Dje në mesditë, Kina i është besuar trajnerit Gao Hongbo, ish-krahut të djathtë të Hanit. Madje, sipas "chinavieë", ish-drejtuesi i Shqipërisë as që nuk ka qenë në listën e kandidatëve, pasi 43-vjeçari Hongbo është zgjedhur nëpërmjet një votimi të hapur, duke mposhtur konkurrencën e tre trajnerëve të tjerë kinezë. Arritja më e madhe e tij si teknik është fitimi i titullit në kampionatin vendas (Superliga Kineze) me Çangçun Jatain.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›