E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Vata kërkon edhe një vit si profesionist

Fatmir Vata kërkon të qëndrojë në futbollin e luajtur të paktën edhe për një vit. Veterani 37-vjeçar nuk e mendon largimin, pavarësisht moshës së madhe dhe dëmtimeve të shumta që ka vuajtur gjatë këtij edicioni. Gjithsesi, drejtuesit e Koblencit ende nuk i kanë ofruar mesfushorit me tipare sulmuese rinovimin e kontratës: jo të gjithë në klubin e Bundesligës II dëshirojnë që Vata të qëndrojë, sepse shqiptari është aktivizuar vetëm në dhjetë ndeshje. "Pas disa bisedave të gjata, trajneri Uve Rapolder më ka konfirmuar se kërkon të më ketë sërish në skuadër. Nëse vendosa të bëhem pjesë e Koblencit, 70 për qind e meritës i takon trajnerit. Mendoj se mund të luaj edhe një tjetër sezon nën urdhrat e tij. Nuk ka ardhur momenti të largohem nga futbolli", deklaroi ish-lojtari i Kombëtares kuqezi. Vata nuk luan që prej mesit të muajit mars dhe nuk kanë munguar spekulimet se ai mund të jetë pezulluar nga skuadra: "Absolutisht jo! Nuk kam bërë asgjë për të më pezulluar. E vërteta është që kam pasur probleme muskulore në kofshën e majtë. Kisha shumë dëshirë të kthehesha në fushë prej dëmtimit të mëparshëm, sa nuk u rehabilitova plotësisht dhe u detyrova të filloja sërish trajtimet mjekësore".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›