E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Nuk mendoj për të ardhmen, jam i përqendruar te titulli në Francë

Është absolutisht lojtari i vetëm shqiptar që ka tërhequr vëmendjen e disa prej skuadrave më të mëdha evropiane. Në të kaluarën, emri i Lorik Canës është lidhur me Realin e Madridit në La Liga, Interin e Romën në Serinë A, Arsenalin e Evertonin në Premier League, por edhe me gjigandët e Bundesligës, Bajernin e Mynihut. Së fundmi për mesfushorin 25-vjeçar është interesuar edhe Liverpuli: trajneri Rafa Benitez e sheh si zëvendësuesin ideal të Ksabi Alonsos te "Reds". Edhe pse ka folur shumë për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se destinacionet më të mundshme ishin Anglia ose Gjermania, tashmë Cana "luan" indiferentin. "Si e shoh sezonin e ardhshëm? Nuk kam asnjë ide. Për momentin jam i përqendruar të ndeshja e radhës në kampionat me Nisën. Seriozisht. Nuk i kushtoj shumë rëndësi gjërave të tjera", deklaroi kapiteni i Olimpik Marsejës. "Më parë dua të ndihmoj skuadrën që të ruajë kreun në Ligën 1 dhe të fitojë titullin. Do të kem kohë më vonë që të mendoj për të tjerat. E them këtë pasi sezoni nuk mund të quhet kurrsesi i mbyllur. Çdo ndeshje deri në fund të sezonit do të jetë si një finale, e cila ka vlerën e titullit". Me barazimin 2-2 në "Velodrom" përballë Tuluzës ka bërë që marsejezët e drejtuar nga Erik Gerets të ndajnë kreun me Bordonë, në kuotën e 68 pikëve, por me golavarazh më të mirë. Kur mungojnë edhe katër ndeshje nga mbyllja e kampionatit, skuadra e ka arritur objektivin kryesor (një vend në Champions), por dëshira për të fituar trofeun është shumë e madhe. "Në fillim të sezonit synonim një vend në Ligën e Kampioneve dhe këtë duket se e kemi arritur, pasi Lioni i vendit të tretë ndodhet 7 pikë larg, shpjegoi Cana. Gjithsesi, nuk duhet të harroni se Marseja nuk e fiton titullin prej 16 vitesh dhe është normale që kualifikimi në aktivitetin më prestigjioz për klube të lihet disi në hije nga diskutimet për kryesimin. Fakti që jemi kaq pranë shpalljes kampionë është i rëndësishëm edhe për ne lojtarët, pasi jemi të uritur për të triumfuar. Megjithatë, duhet të jemi të përqendruar deri në fund, pasi nuk na lejohen hapa të tjerë fals si ai me Tuluzën, ku mund të themi se kemi humbur dy pikë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›