As lekë për libra

Kreu i opozitës thotë se edukimi është në një situatë dramatike dhe për këtë nevojiten zgjidhjet e sintetizuara nga diskutimet me qytetarët
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje, se shqiptarët janë varfëruar aq shumë saqë s’po janë më në gjendje as të blejnë librat për të arsimuar fëmijët e tyre. Ai tha se rreth 70 për qind e atyre që jetojnë në fshat e kanë pothuajse të pamundur që të blejnë librat shkollorë dhe kjo si pasojë e keqqeverisjes që i ka zhytur njerëzit edhe më thellë në mjerim. Kjo deklaratë e kreut të opozitës u bë gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, ku u diskutua për çështjet e arsimit. “Sali Berisha kur doli dhe kërkoi votën e shqiptarëve në vitin 2005, u shfaq në dyert e dyqaneve dhe u tregonte listat e ushqimeve. Sot, jo vetëm listat e ushqimeve janë zgjatur, por në dyqane janë edhe listat e fletoreve dhe teksteve shkollorë, borxhet e prindërve ndaj atyre që i tregtojnë këto fletore e këto tekste, në pamundësi për të paguar aty për aty instrumentin më fillestar dhe më elementar të arsimimit të fëmijës, tekstin dhe fletoren, lapsin dhe stilolapsin”, deklaroi Rama. Ai shpjegoi gjithashtu edhe turin e tij “Dialog me Shqipërinë”, ku tha se janë pikërisht këto takime dhe rezultatet e dala nga analizimi i tyre, që do të përbëjnë edhe programin qeverisës të Partisë Socialiste. “Synojmë që të gjitha ato që kemi dëgjuar, kemi mbledhur, kemi analizuar dhe krahasuar, t’i sintetizojmë në ide konkrete dhe kështu të formësojmë alternativën tonë të re për arsimin në Shqipëri. Pra, është momenti për të filluar dhe diskutuar lidhur me rrugëdaljet dhe për të mbledhur propozime konkrete për mënyrën sesi ne duam të zgjidhim problemet jo të vogla dhe jo të pakta të këtij sektori të mbërthyer në krizë”, tha Rama. Kreu i Partisë Socialiste tha gjithashtu, se vendi aktualisht ndodhet në një moment dramatik për sa i përket edukimit dhe arsimit, prandaj zgjidhja duhet gjetur në mënyrë të përbashkët nëpërmjet komunikimit direkt. Për situatën e krijuar me çështjen e arsimit në vend, Rama tha se ajo është krijuar si pasojë e keqqeverisjes dhe për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit. “Askush nuk më bind se kjo situatë është gjë tjetër, përveç keqqeverisjes, përveç papërgjegjshmërisë së skajshme të kryeministrit të vendit, qeverisë së tij, kësaj aleance të kalbur të forcave qeveritare, që gjatë këtyre viteve nuk kanë qeverisur interesat e vendit dhe të njerëzve, por kanë qeverisur interesat e ngushta klanore dhe personale, të lidhura me pushtetin si qëllim dhe jo si mjet për të realizuar ato qëllime për të cilat qytetaret e qytetarët e vendit tonë e kanë votuar Sali Berishën dhe këtë qeveri”, tha Rama, duke premtuar që kjo situatë do të ndryshojë. Ai shtoi gjithashtu se, në këtë moment, duhen identifikuar së bashku zgjidhjet, në mënyrë që nesër Partia Socialiste të mos e marrë votën e shqiptarëve duke bërë premtime të pambajtshme, por ta meritojmë atë duke ofruar zgjidhjet konkrete.