Socialistët, gati 24 amendamente për draftin e SHKB-së
Projektligji i paraqitur nga qeveria për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka vënë në lëvizje grupin parlamentar të partisë më të madhe të opozitës. Pas kundërshtimit që iu bë neneve të veçanta të këtij drafti gjatë miratimit të tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deputetët socialistë janë duke përgatitur 24 amendamente, të cilët do të paraqiten për t’u diskutuar në seancë plenare. Burime të sigurta informacioni nga selia rozë thanë se amendamentet që po përgatiten, kanë të bëjnë me disa nga pikat më të kundërshtuara të këtij projektligji. Nëpërmjet tyre socialistët synojnë uljen e nivelit strukturor të Shërbimit të Brendshëm, ndryshimin e varësisë së tij, kontrollin parlamentar dhe kufizimin e kompetencave. Amendamentet janë duke u përgatitur nga ekspertët që punojnë pranë Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Partinë Socialiste. Një pjesë e mirë e tyre janë ish-oficerë policie, të cilët kanë punuar për vite në Policinë e Shtetit dhe në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, dhe janë nxjerrë në reformë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. NdryshimetNëpërmjet ndryshimeve që deputetët e opozitës do të propozojnë në Kuvend, ata synojnë në radhë të parë të ulin nivelin strukturor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, duke e kaluar atë nga një drejtori e përgjithshme siç parashikohet në projektligjin e qeverisë, në një drejtori normale të Policisë së Shtetit. Kjo sipas tyre është e nevojshme, për të mos lejuar që t’i jepet këtij shërbimi një fuqi më e madhe sesa ajo që duhet për të realizuar misionin e tij, që mbetet ruajtja e pastërtisë së radhëve të Policisë së Shtetit. Dhe pikërisht në funksion të këtij misioni është edhe propozimi tjetër, që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të jetë një drejtori në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe jo në varësi të ministrit, siç parashikohet në projektin e përgatitur nga qeveria. Socialistët mendojnë se në këtë mënyrë do të parandalojnë kthimin e këtij shërbimi në një vegël në duart e ministrit, që është një funksion politik dhe që në mënyra të ndryshme mund të ndikojë nëpërmjet SHKB-së në punën e Policisë së Shtetit.Kompetencat e zgjeruara të Shërbimit të Brendshëm, të parashikuara në draftin e qeverisë, janë një tjetër pikë në të cilën janë fokusuar ekspertët e PS-së. Veçanërisht për sa i përket marrjes së informacionit nga shërbimet e tjera apo nga strukturat e policisë, socialistët mendojnë se këto kompetenca duhet të reduktohen. Ata janë kategorikisht kundër lejimit të marrjes prej SHKB-së të informacioneve të klasifikuara, pasi kjo gjë do të shkelte në mënyrë të hapur ligjin ekzistues për këto lloj informacionesh, por njëkohësisht do t’u jepte një fuqi të pakontrollueshme inspektorëve të Shërbimit. Në nenin 23 të projektligjit “Marrja e të dhënave”, në pikën 8 thuhet se: “SHKB-ja ka të drejtë të kontrollojë dhe të marrë dokumente, evidenca dhe informacione në formë të shkruar ose elektronike nga të gjitha zyrat, sekretaritë dhe arkivat e Policisë së Shtetit dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme, ose nga çfarëdo burim tjetër informacioni. Sipas socialistëve, një gjë e tillë “është antiligjore dhe e rrezikshme”. “Ligji për informacionin e klasifikuar i ka përcaktuar qartë autoritetet që kanë akses për informacion të klasifikuar, por askujt nuk i jepet akses i pakufizuar, aq më tepër inspektorit të një shërbimi”, tha dje për “Korrierin” njëri nga ekspertët që po punon pranë PS-së për përgatitjen e amendamenteve. Pika e fundit, por jo më pak e rëndësishme, që sipas socialistëve duhet rregulluar në ligj, është kontrolli parlamentar mbi SHKB-në. Për këtë qëllim ata do të propozojnë shtimin e një neni të veçantë, në të cilin të parashikohet madje edhe kontrolli i Prokurorit të Përgjithshëm ndaj aktivitetit të këtij shërbimi. Në ligj do të kërkohet të shtohet një nen me këtë përmbajtje: “Veprimtaria e SHKB-së kontrollohet nga Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet komisionit parlamentar përkatës, apo komisioneve të posaçme, si dhe Prokurorit të Përgjithshëm”. Miratimi dhe kundërshtimetPesë ditë më parë, Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi me votat e mazhorancës projektligjin e paraqitur nga qeveria për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Gjatë mbledhjes, deputetët e opozitës e kundërshtuan fort projektligjin dhe votuan kundër tij. Me përfaqësuesit e PS-së u bashkua edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Ai e konsideroi projektligjin e paraqitur “jo si ligj të kontrollit të brendshëm të ministrisë, por si ligj të kontrollit të Berishës mbi Policinë e Shtetit”. Deputetët e opozitës shprehen të vendosur për t’i mbrojtur me forcë në seancë plenare amendamentet që kanë paraqitur, megjithëse kanë marrë parasysh edhe mundësinë që mazhoranca të vazhdojë ta miratojë projektligjin me forcën e kartonit. Por në këtë rast, sipas socialistëve, do të kishim një strukturë politike më shumë, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, që do të kontrollonte institucionet e pavarura dhe të depolitizuara, në këtë rast Policinë e Shtetit, por jo vetëm.