Eja Neritan
Republikanët nuk e shohin aspak problematik afrimin e mundshëm të Aleancës Demokratike tek e djathta. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i tha “Korrierit”, se më e papranueshme ishte pikërisht bashkëpunimi i Neritan Cekës me të majtën. I pyetur për rikthimin e PAD-së në koalicionin e majtë, ish-ministri i Mbrojtjes tha: “Ngelet pjesë e gjykimeve të zotit Ceka. Mos harrojmë që zoti Ceka ka qenë themelues i PD-së. Është një nga njerëzit që është përpjekur me të gjithë angazhimin e tij personal dhe politik të subjektit që përfaqëson për demokracinë liberale dhe ajo është pjesë e qendrës së djathtë, e cila nuk do të krijonte asnjë lloj çudie po të ishte pjesë e koalicionit. Ndoshta më e çuditshmja ishte koalicioni me të majtën, sesa mund të jetë koalicioni me të djathtën”. Në fakt, një nga dy opsionet në shqyrtim nga Aleanca Demokratike është pikërisht mundësia e rikthimit të bashkëpunimit me Partinë Demokratike e aleatët e tjerë të koalicionit aktual qeverisës. Por vendimin në fjalë partia e drejtuar nga Neritan Ceka do ta marrë vetëm pas miratimit të Kodit të ri Elektoral. Kështu është shprehur vetë presidenti i PAD-së. Gjithsesi, vendimmarrja duket se nuk do të jetë e largët, për të zgjedhur vetëm mes dy opsioneve. Ai vetë është shprehur se zgjidhjet janë vetëm dy: ose ribashkëpunimi me të djathtën, ose me LSI-në, por me kusht krijimin e një poli të tretë, ku PAD-ja mund të marrë pjesë. Për variantin e dytë nuk ka ende asgjë të re në horizont, ndërsa ai me PD-në sigurisht që do të duhet të shoqërohet me negociata. Aleatët e së djathtës nuk duket se do të jenë një barrierë. Përkundrazi, qëndrimi i shfaqur nga Mediu i ngjan më tepër një ftese. Duke folur më tej për koalicionin e djathtë, kreu i PR-së tha se nuk duhet të ketë reduktim të numrit të partive të koalicionit, por zgjerim të mëtejshëm. Sipas tij, do të duhet të jenë pjesë e të njëjtit grupim politik, atij të djathtë, edhe partitë jo parlamentare të këtij spektri, të cilat nuk mundën të jenë pjesë e ekzekutivit falë rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2005. Por një nga afrimet e reja mund të jetë edhe vetë PAD-ja e Neritan Cekës, një nga themeluesit e partisë më të madhe në pushtet, asaj Demokratike. saqellari@korrieri.com