Dy herë në polici për kërcënimet që kam marrë
SHKODËR - “Atë që ia bënë Azemit, donin t’ia bënin të shtunën edhe mikut të tij. Mua më kanë kërcënuar me jetë dy herë përmes sms-ve me telefon”. Kështu tha dje në një intervistë për “Korrierin” Marian Gryka, ish-badigardi i deputetit Azem Hajdari, i vrarë më 12 shtator 1998. Gryka mbeti i plagosur mbrëmjen e së shtunës, pasi u qëllua nga dy persona të veshur me uniforma policie, që i kishin zënë pritë pranë fshatit Zogaj në Shkodër. Ai deklaroi se kishte shkuar dy herë në polici për të denoncuar kërcënimet që kishte marrë, por në të dy rastet ishte verifikuar se numrat e telefonit ishin nga Mali i Zi dhe policia nuk kishte mundur t’i identifikonte kërcënuesit. Gryka, që është dhe kreu i shoqatës “Azem Hajdari”, shprehet i bindur se ngjarja ka lidhje me kërkesën e tij të përsëritur për zbardhjen e vrasjes së Hajdarit. Sipas tij, edhe mazhoranca e sotme nuk po gjen kurajën që të nxjerrë autorët e vërtetë para drejtësisë. -Në çfarë rrethanash ndodhi ngjarja?“Rreth orës 20:30 të së shtunës, pasi kisha takuar disa miq të mi, po dilja për një shëtitje nga liqeni i Shkodrës. Sapo kisha kaluar Shirokën e po i drejtohesha Zogajve, dy persona të veshur me uniforma policie dhe të maskuar më bëjnë shenjë që të ndaloja. Unë kujtova se do të ishte ndonjë postbllok policie, ndaj i qetë ndalova. U mundova që të dal nga automjeti im tip “Benz”, që të bisedoj me ta dhe të paktën t’u shihja fytyrën, por ata jo vetëm që nuk më lanë të dilja nga makina, por më shtynë brenda në makinë dhe pastaj më qëlluan 3-4 herë me armë. Pas këtij veprimi, ata u larguan me vrap nëpër terrin e natës. Më pas kam mbetur i plagosur, derisa kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët më kanë sjellë me shpejtësi në spital”.-Kush mendoni se kanë qenë atentatorët ose personat që i kanë shtyrë ata që të ndërmarrin këtë krim?“Vetë përdorimi i uniformave të policisë nga këta persona e ka një kuptim. Por sot gjërat janë të hapura. Unë jam një person që përfaqësoj Azem Hajdarin në Shqipëri, ndaj edhe vazhdimisht kam kërkuar rihapjen e kësaj çështjeje nga drejtësia shqiptare. Për këtë unë jo vetëm që kam bërë shkrime në mediat shqiptare, por i kam dërguar disa letra edhe Brukselit për këtë çështje. Ngjarja ndodhi pas botimit të shkrimit tim të fundit, një shkrim i madh ky që kishte të bënte edhe njëherë me kërkesën për rihapjen e çështjes “Hajdari”. Besoj që klanet e të dy krahëve të politikës u shqetësuan për reagimet e mia, ndaj dhe atë që ato i bënë Azemit, donin t’ia bënin edhe mikut të tij. Dhe ja ku jam sot, me plumb në trup”. -Ju mendoni se gjithçka ndodhi për shkak të kërkesës suaj për rihapjen e hetimeve për vrasjen e Azem Hajdarit?“Absolutisht po, vetëm kjo është arsyeja. Ky mund të quhet ndryshe një pushkatim politik ndaj meje, pasi unë nuk kam pasur asnjëherë probleme me individë të ndryshëm. Nuk është fare e vërtetë ideja që unë kam pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë. Këto janë fjalë që i kanë hapur ata që donin kokën time, me qëllim që të maskonin veten e tyre”.-Keni marrë ndonjëherë më parë kërcënime? -“Po, mua më kanë kërcënuar edhe dy herë të tjera nëpërmjet sms-ve në telefonin celular. Kjo ndodhi pikërisht pas shkrimit tim të fundit në median e shkruar. Në të dy rastet, edhe pse unë kam bërë denoncim në polici, rezulton që numrat e celularëve nga më kanë ardhur kërcënimet kanë qenë nga Mali i Zi. Uroj që rasti i të shtunës të jetë kërcënimi i fundit”.-Çfarë dyshimesh keni ju personalisht për vrasjen e deputetit Azem Hajdari 10 vite më parë?“Dyshimet e mia lidhen me faktin se shumë persona pas vrasjes së Hajdarit, bashkë me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, kanë bërë deklarata të bujshme për individë që kanë marrë pjesë në atë vrasje. Të gjithë shqiptarët këtë duan, që si kryeministri, ashtu edhe një kryetar shoqate të jenë të barabartë përballë ligjit. Të gjithë ne që kemi bërë deklarata të tilla, duhet të shkojmë edhe njëherë përpara organeve të drejtësisë, për të dëshmuar për gjithçka që dimë, në mënyrë që kjo çështje të rihapet”.-Keni besim tek organet e drejtësisë në Shqipëri për rihapjen e kësaj dosjeje?“Kjo çështje po shkon drejt rihapjes nga BE-ja. Edhe BE-ja një nga kushtet që i ka vënë Shqipërisë, në pikën 11, thekson rihapjen e zbardhjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Kjo, së bashku me disa kërkesa të tjera, janë ato që shoqata “Azem Hajdari”, të cilën unë përfaqësoj, i kemi dërguar në Bruksel. Madje, këto kërkesa unë i kam shprehur herë pas here edhe në mediat shqiptare”. -Së fundmi, a keni besim se qeveria aktuale do ta zbardhë vrasjen e Hajdarit?“Qeveria aktuale premtoi para shqiptarëve se sapo të vinte në pushtet, do të rihapte këtë çështje. Por, edhe pse kanë kaluar tre vite nga ardhja e PD-së në pushtet, atyre nuk u ka shkuar ndërmend që të bëjnë diçka të tillë. Kjo qeveri asnjëherë nuk e pati kurajën për të hapur hetimet gjatë kësaj periudhe që është në pozitë. Se çfarë i pengon apo çfarë i frikëson drejtuesit e PD-së që nuk e rihapën këtë çështje, e dinë vetëm ata. Shoqata “Azem Hajdari” është dhe do të jetë përgjithmonë për nxjerrjen e fajtorëve përpara drejtësisë. Jo të pushkatarëve të tij, pasi vrasja e Azemit është vrasja e shekullit në Shqipëri dhe nuk është një vrasje private, prandaj duhen nxjerrë para drejtësisë urdhëruesit e kësaj vrasjeje. Mendoj se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt dhe politika shqiptare do të pastrohet”.