Meritoj respekt!

Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, thotë se aktualisht koalicioni i djathtë po kalon një “turbullirë normale para kthjellimit të koalicionit të ri”, ndërsa sheh si pozitive një mbledhje të tryezës së djathtë. Sipas tij, dy çështjet konkrete që duhet të diskutohen në këtë tryezë janë hartimi i Kodit Zgjedhor për respektimin e votave të partive të vogla dhe mënyra sesi e djathta duhet të dalë në zgjedhjet e ardhshme. Për sa i përket diskutimit për koalicionin, kreu i BLD-së është për gjithëpërfshirje të forcave politike, por është kundër grupimeve që nuk përfaqësojnë asgjë. Ai thotë se tashmë koalicionit të djathtë i nevojitet një sondazh serioz parazgjedhor nga aktorë të paanshëm, për të qenë realistë për mënyrën e krijimit të koalicionit të ardhshëm. Ndërkohë, Starova thekson se, nëse BLD-ja nuk do të gjejë respektimin e interesave të saj si parti as në koalicion, as në Kodin Zgjedhor,//atëherë kjo forcë politike do të dalë vetëm në zgjedhjet e 2009-ës. Sipas Starovës, “mbështetësit tanë nuk munden më që të shkëmbejnë fisnikërinë e korrektesën e tyre me mosmirënjohjen e pragmatizmin e të tjerëve”.
-Zoti Starova, si e shihni koalicionin e djathtë dhe sa i bashkuar është aktualisht, kur PDK-ja do të dalë e vetme në zgjedhje, PR-ja kundërshton Kodin Zgjedhor dhe PDR-ja do të shkrihet etj?“Kjo që ndodh tani me koalicionin e djathtë, mund të emërtohet si “turbullirë normale përpara kthjellimit të koalicionit të ri”. Ajo që e bashkon koalicionin tonë është shumë më e rëndësishme sesa interesat që kanë nxitur debatin e tanishëm, i cili sidoqoftë është në kufijtë e normales”.
-Aleatët kanë kërkuar mbledhjen e një tryeze të djathtë për të diskutuar për koalicionin e ardhshëm. Si e mendoni ju dhe cilat duhet të ishin pikat e diskutimit sipas jush?“Mirë do të ishte që të mblidhej një tryezë e partive, për të mos lënë vend për perceptime të rremë lidhur me gjendjen e koalicionit tonë. Ajo çka mund të diskutohej në të janë vetëm dy çështje sipas meje: e para, mënyra sesi do të bëhet Kodi Zgjedhor për të respektuar vota e partive të vogla dhe, e dyta, mënyra sesi do të futemi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
-Bashkimi Liberal-Demokrat ka nisur rifreskimin e strukturave prej disa kohësh tashmë. A do të ketë ndonjë riorganizim tjetër, kjo në sajë të ndarjeve të reja zgjedhore?“Për fat, pra krejt rastësisht, riorganizimi ynë iu përshtatet fare mirë ndryshimeve të reja të ligjit zgjedhor, pra nuk na duhet të ndryshojmë riorganizimin tonë, por vetëm të vazhdojmë punën që po bëjmë prej kohe gati dyvjeçare”.
-Në marrëveshjen e fundit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, BLD-ja mori më pak nga sa i takonte realisht, duke qenë një nga aleatët që përfitoi më pak. Po në zgjedhjet e vitit 2009, çfarë do të ndodhë?“Shpresojmë të kemi vendin që meritojmë, por gjithçka varet nga arritjet tona në zgjedhje. Unë kam besim tek njerëzit tanë dhe mënyra sesi po punojmë të gjithë bashkë. Shpresojmë të marrim trefishin e votave të marra në zgjedhjet e 2005-ës. Nëse zgjedhjet (me të cilat nënkuptoj kryesisht procesin e saktë të numërimit të votave) do të jenë vërtet të lira e të ndershme, atëherë BLD-ja do të jetë atje ku duhet”.
-Keni mohuar zyrtarisht zërat për shkrirjen tuaj me PD-në. Pse mendoni se dolën këto zëra?“Nuk hamendësoj asgjë se përse dolën këta zëra. Mua m’u krijua përshtypja se duhej të jepja një përgjigje publike për t’i sqaruar gjërat, të cilat nganjëherë edhe kur janë gënjeshtra, arrijnë të prishin punë. Pra, kam rast ta ritheksoj që, nëse nuk do të gjejmë respektimin e interesave tona si parti as në koalicion, as në Kodin Zgjedhor, ne do të dalim të vetëm në zgjedhjet e 2009-ës. Mbështetësit tanë nuk mundet më që të shkëmbejnë fisnikërinë e korrektesën e tyre me mosmirënjohjen e pragmatizmin e të tjerëve”.
-A mendoni se koalicioni i ardhshëm i djathtë duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke afruar edhe forca të tjera të cilat nuk janë sot në parlament?“Patjetër, por jo me grupime që nuk përfaqësojnë asgjë. Kjo mbetet për t’u diskutuar. Ndoshta koalicionit tonë i nevojitet sot një sondazh serioz parazgjedhor,të kryer nga aktorë të paanshëm, që të kuptojmë se ku ndodhemi e të jemi realistë për mënyrën e krijimit të koalicionit të ardhshëm”.