E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy net grevë

Që pas orës 19:10 të së hënës, 11 deputetë vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar, pa ngrënë në sallën e parlamentit. Pas daljes nga salla të deputetëve të partive të tjera, përfaqësuesit e LSI-së e PDK-së vijuan të qëndronin në sallë. Por përveç mungesës së ushqimit, edhe salla e zhvillimit të seancave plenare nuk ishte më e njëjta. Në gjithë atë hapësirë ku më parë kishin qëndruar plot 140 deputetë, dhjetëra punonjës të Kuvendit e dhjetëra gazetarë, tashmë ndodheshin vetëm 11 veta. Por, përveç zbrazëtisë e mungesës së ushqimit, lëvizje të tjera të paparashikuara, vunë në vështirësi deputetët. Ndriçimi, jo vetëm gjatë natës së pardjeshme, kur normalisht edhe ata fjetën, por edhe gjatë ditës së djeshme jo vetëm që nuk mund të krahasohet me atë të zhvillimit të seancave plenare, por sipas vetë protestuesve krijon një atmosferë në zymtë. Pra, janë fikur pjesa më e madhe e ndriçuesve e janë lënë ndezur vetëm disa prej tyre, çka krijon vështirësi në shikim. Por nata ka qenë edhe më e mundimshme sesa dita e djeshme. Ulja e temperaturave është ndjerë edhe në sallën e Kuvendit, ku është fikur sistemi i ngrohjes. Kjo ka bërë që i ftohti të përshkojë herë pas here deputetët e ngujuar. Garda nuk ka lejuar që sistemi i ngrohjes të ndizej sërish. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pas zgjimit ka pasur “surpriza”. Në lavamanët e ambienteve të parlamentit ka munguar uji i rrjedhshëm. “Telashet nuk kanë të sosur”, këtë mund ta kenë thënë fare mirë përfaqësuesit e LSI-së dhe të PDK-së, kur nuk kanë mundur të komunikojnë më me të afërmit apo shokët e tyre përmes aparateve celularë. Deputetët dyshuan se duhet të ishte patjetër një aparaturë që pengonte valët e telefonave të lëvizshëm e pas kërkimesh, kjo gjithmonë referuar nga ajo që thonë ata, është gjetur një pajisje e tillë. Pajisja që dyshohet të jetë edhe përgjues është tashmë në duart e tyre, por siç thonë ata, pas fikjes së aparaturës janë rikthyer valët e celularëve, çka ka bërë të mundur rifillimin e telefonatave me persona jashtë sallës. E njëjta situatë ka qenë edhe për rrjetin e internetit, i cili është ndërprerë, por ndryshe nga komunikimi përmes aparateve celularë, ai përmes internetit nuk është rikthyer. Edhe jashtë sallës ka pasur incidente. I tillë ka qenë rasti kur nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti dhe deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, vendosën të dilnin jashtë ambienteve të kuvendit për të dhënë një deklaratë për mediat, rreth orës 10:30 të paradites. Por, ndërsa gardistët iu kishin premtuar mundësinë e rikthimit në sallë, pas deklaratës ata nuk u lejuan të hynin më në ambientet ku zhvillohej greva. Të njëjtin qëndrim garda ka mbajtur ndaj çdokujt që ka kërkuar të hyjë në sallë. Kushtet brenda sallës, por edhe mungesa e ushqimit ka krijuar probleme shëndetësore për deputetin e LSI-së, Spartak Braho e Ymer Tola, të cilët kërkuan të zhvillonin një vizitë mjekësore, ndërsa dyshonin se kishin probleme me tensionin. Por edhe mjekët nuk janë lejuar të hynin në sallë. Ndërkaq, veç grevistëve, simpatizantë të partive kanë qëndruar gjatë gjithë natës përpara hyrjes kryesore të kuvendit. Duke ndërruar njëri-tjetrin, edhe trotuari dhe rruga pranë Kuvendit, nuk kanë mbetur të qetë. Të gjithë janë rikthyer në orën 10 të paradites dhe kanë vazhduar të qëndrojnë aty, duke zëvendësuar sërish njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës së djeshme. Pritej që gjatë natës e djeshme të vendoseshin edhe çadra. Me gjithë vështirësitë, përfaqësuesit e LSI-së e PDK-së shprehen të bindur për të vijuar grevën, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›