Asambleja PS – pasi konsumoi blerjen e Ben Blushit, Edi Rama s’e ka për gjë të kopjojë jo veç propagandën, por edhe intervistat

Dje Partia Socialiste ka dhënë shembullin e radhës, se brenda saj s’ka as debat e as shkëmbim idesh. Edi Rama ka mbajtur fjalimin pararevolucionar, ndërkohë që trupa e Asamblesë as ka patur mundësi të japë ide e as të kundërshtojë palavitë e shqiptuara prej kryetarit. në rendin e ditës kanë qenë terma të rëndësishme si programi politik apo ndryshimet në statut, por asgjë në kronikën e djeshme s’ka pasur të bëjë me debatet në një formacion politik. Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste Edi Rama, komunikoi dje se ai “do ta çojë” këtë forcë politike drejt fitores së zgjedhjeve, por asgjë s’u komunikua ndryshe nga kursi humbës që po ndiqet që nga tetori i 2005-s, kur Edvini mori kreun e së majtës. Në themel të programit të ri të Partisë Socialiste, Rama premtoi nxjerrjen e ekonomisë nga kriza, hapjen e 300 mije vendeve të reja të punës, si dhe një politikë të re fiskale. Duke e vënë theksin tek një “model i ri ekonomik”, Rama u shpreh: “Jemi të bindur se i gjithë korpusi, puna jonë duhet të sintetizohet tek ekonomia. Duke i vënë prioritet ekonomisë rurale, të nxisim ekonominë prodhuese, duke synuar produkte cilësore dhe afatgjata. T’u japim prioritet sektorëve që nxisin punësimin”. Frazat e Edvinit kanë qenë një përsëritje e dukshme e terminologjisë së porositur, që është përdorur në media nga disidenti brenda gardhit, Ben Blushi. Borxhi ka qenë teza më e kopjuar e ditës. Edvini tha: “Çdo familje shqiptare sot paguan 65 dollarë për borxhin, shumë më e madhe kjo, se fatura e energjisë dhe sa gjysma e pensionit. Ne do ia bëjmë të qartë çdo shqiptari se në xhepat e tij mungojnë 65 dollarë në muaj”. Propaganda u mbyll me thirrjen për kufizimin e borxhit publik, një frazë e stërthënë si dhe e akaparuar më herët nga ish-kundërshtari i tij për kreun e PS-së.