E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja PS, Rama: Jemi të mjaftueshëm, nuk na duhet Meta

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë fjalës së tij në nisje të punimeve të Asmablesë Kombëtare të PS-së, deklaroi se kjo është Asambleja e betejës së ardhshme zgjedhore, që do t’i përqendrojë forcat e saj tek puna me territorin.

“Kjo është një Asambleja më e gjërë, ajo e betejës së ardhshme zgjedhore, do të cojë derë më derë dhe dorë më dorë programin e PS-së. Kjo është Asambleja e punës me territorin. Fjalëkryqi i punës së saj është territori, të punojmë cilësisht për territorin”, tha Rama.

Ai ftoi të gjithë të nisin nga puna, për të arritur objektivin e një rilindjeje kombëtare, ndërsa tha se socialistët janë të mjaftueshëm, duke përjashtuar një aleancë me Ilir Metën.
“Ilir Meta është pjesë e pushtetit, ai e ka bërë zgjedhjen e tij, ne jemi të mjaftueshëm”, komentoi Rama.

Kryesocialisti i kërkoi të gjithë anëtarëve të Asamblesë që të miratojnë sot edhe  ngritjen e një komiteti të organizimit territorial dhe një këshill partiak. Ai propozi si kryetar të Asamblesë Gramoz Rucin, por la të hapur mundësinë edhe për propozime të tjera.

Rama kërkoi që kandidaturat të zgjidhen me votë të fshehtë, ndërsa propozoi një numërim elektronik.
 "Për herë të parë do kemi mundësi të shohim një numërim elektronik të votave, të gjithë do ta shohin live numërimin", tha ai.

Kryesocialisti theksoi së viti i ardhshëm do të jetë viti i shpalosjes së programit të ri të PS-së, i cili duhet të shndërrohet në axhendën e përbashkët të socialistëve.
“Na duhen të paktën 21 grupe punë, që do të përgatisin dokumente të veçanta, sipas pikave të detajuara të programit të ri të PS-së”,- deklaroi Rama, duke theksuar se nuk mjafton përmbajtja për të realizuar programin.
“Duhet vullnet e përkushtim, për të vendosur njerëzit mbi mosmarrëveshjet apo hatërmbetjet tona. Familjen tonë politike do ta bëjmë një strehë të ngrohtë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e saj ”,- vijoi më tej Rama.

Ndërkaq, Rama theksoi se opozita do të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund zgjedhjeve pa standarde, që siç tha ai po e bëjnë Shqipërinë gaz i botës dhe po e largojnë nga Europa.
“Europa është e qartë, kemi 12 prioritete për të plotësuar për marrjen e statusit kandidat. Duhet të garantojmë së pari që zgjedhjet nuk do të vidhen më, për t’iu afruar Europës”,- deklaroi Rama.

Rreth 230 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së do të votojnë e do të zgjedhin anëtarët e kryesisë së re të Partisë Socialiste. Pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Asamblesë, që deri më tani është drejtuar nga Gramoz Ruçi, që është njëkohësisht edhe kryetar i grupit parlamentar. Asambleja do të zgjedhë 25 anëtarët e rinj të kryesisë, sekretarët dhe komisionin e zgjedhjeve të partisë. Mbledhja këtë herë zhvillohet në një nga lokalet në rrugën Tiranë-Durrës.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Asambleja PS, Rama: Jemi të mjaftueshëm, nuk na duhet Meta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›