Nesër ditë zije kombëtare/Topalli shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I

Kryetarja e Kuvendit, shprehu dje ngushëllime për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I. Në mesazhin e saj, zonja Jozefina Topalli shprehet se “Me dëshpërim të thellë mora lajmin e hidhur se Madhëria e Tij, Leka Zogu u nda nga jeta. Në kujtesën tonë Leka Zog do të mbetet shqiptari foshnje dyditëshe që la Shqipërinë dhe u rrit në dhe të huaj; porse u mëkua dhe u edukua me dashurinë dhe krenarinë për popullin, gjuhën dhe vendin e vet dhe mishëroi vlerat dhe virtytet më të mira të shqiptarëve. Në gjurmët e të atit Leka Zog iu përkushtua çështjes kombëtare dhe u shqua si inspirues dhe përkrahës i paepur i përpjekjeve për liri dhe dinjitet të shqiptarëve në trevat e tyre dhe kudo. Gjatë një mërgimi të vështirë, familja mbretërore dhe Leka Zog përjetuan dhimbjen e ndalimit të egër nga diktatura komuniste të jetojnë në vendin amë dhe kthehen në Shqipëri vetëm me vendosjen e demokracisë duke marrë pjesë në zhvillimet pozitive të vendit. Me ndarjen nga jeta të Leka Zogut, ne humbën një atdhetar të mençur dhe shqiptarët kudo humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre politike, një figurë që tashmë ka vendin e vet të nderuar në kujtesën tonë kombëtare. Në këtë ditë të rëndë, unë dëshiroj të ndaj me familjen e Madhërisë së tij Leka Zog dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut të dashur dhe me gjithë bashkëkombësit e mi hidhërimin e thellë për humbjen e një personaliteti. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera unë dëshiroj të ndaj me Princin Leka dhe të gjithë anëtarëve të familjes mbretërore, si dhe me gjithë shqiptarët lutjen që shpirti i Leka Zog të prehet në paqe në tokën ku u lind”.
...