E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigare kontrabandë, kapet në Greqi polici shqiptar dhe 3 grekë

IGUMENICE - Një polic shqiptar dhe tre shtetas grekë janë arrestuar nga policia greke në pikën kufitare të Igumenicës në Greqi, të akuzuar për kontrabandë cigaresh.

Polici Lorenc Çibuku, shtetas i Shqipërisë, 35 vjec, që shërbente në kontrollin e pasaportave shqiptare në pikën kufitare të Qafë Botës, u arrestua pasi kishte hyrë ilegalisht në Greqi, me një makinë, e cila rezultoi e vjedhur, me patentë të rreme, dhe me një pistoletë në 9mm.

Polici kishte marrë në Duty Free Shops, 2500 paketa cigare pa faturë, gjë që sic u mësua, ishte bërë në bashkëpunim me drejtorin e Duty Free Shops, i cili u arrestua gjithashtu.

U arrestuan për bashkëpunim edhe 2 punonjëse greke të dyqanit pa taksa, të moshës 37 dhe 29 vjeç.

Siç doli nga hetimet e para, Lorenc Çibuku ka punuar për të paktën gjashtë muaj me drejtorin e dyqaneve pa taksa dhe dy femrat e arrestuara, prej të cilëve merrte çdo 4 ditë sasi cigaresh pa faturë. 

Tre punonjësit e arrestuar, u dërguan në prokurori, ndërsa polici shqiptar do të deportohet, pasi për të ekziston edhe një urdhër dëbimi që nga data 27 qershor, 1999.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›