E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e KE: Misioni i monitorimit do mbledhë fakte për shkarkimin e Biberajt pa u mbledhur fare

Nga Armand Maho

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka vendosur ditën e djeshme që të ratifikojë kredencialet e delegacionit shqiptar duke vlerësuar se përzgjedhja e emrave për delegacionin shqiptar është në përputhje me nenin 25 të statusit të Këshillit të Evropës. Vendimi erdhi, pasi kredencialet e delegacionit tonë u sfiduan në një rast unik në historinë e kësaj organizate, duke hedhur dyshime për mënyrën e shkarkimit të njërit prej anëtarëve të delegacionit.

Por, duke qenë se nuk kanë arritur të marrin informacionin e nevojshëm për mënyrën se si është bërë zëvendësimi, Asambleja ka bërë të ditur se misioni i saj i monitorimit do të ekzaminojë gjatë diskutimeve që do ketë në Shqipëri dhe mënyrën se si është vepruar për ndërtimin e këtij delegacioni duke theksuar faktin se vendimi është marrë, përpara se parlamenti shqiptar të mblidhej.

E lumtur me vendimin është shfaqur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Seanca plenare e Asamblesë parlamentare të Strasburgut sapo votoi në unanimitet zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin. Komisioni i Rregullores i KE e kishte gjetur këtë zëvendësim në mbështetje të plotë me rregulloren edhe të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo në ndryshim nga çdo mashtrim, nga çdo gënjeshtër, e thënë nga Islami apo deputetë të tjerë të opozitës. Herë të tjera duhet të shikoni se si funksionon KE dhe ju këshilloj të lexoni rregulloren dhe të harroni se minoranca mund të marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit”, - tha Topalli në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›