E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikat ku ligji për lustracionin bie ndesh me Kushtetutën

Nga Luljeta Progni

Pjesë nga kërkesa e disa deputetëve të Partisë Socialiste drejtuar Gjykatës Kushtetuese

Dispozita të caktuara të ligjit Nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bien ndesh me urdhërimet superiore kushtetuese dhe ligjore. Ato tejkalojnë rregullimet e parashikuara nga një seri nenesh të Kushtetutës së Republikës dhe me ligje të përforcuar (të quajtur ndryshe edhe “organikë”), pasi prezantojnë një shkak të ri për shkarkimin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta.

***

Ligji Nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bie ndesh gjithashtu edhe me urdhërimin e nenit 49, pika e parë e Kushtetutës, ku parashikohet shprehimisht se:

“Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional”.

Ligji në shqyrtim, i goditur nga ana jonë, kufizon të drejtën kushtetuese të parashikuar më sipër për ata shtetas që listohen në nenin 3 të tij, që për një arsye apo tjetrën pas verifikimit iu është lëshuar dëshmia sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 20 të këtij ligji dhe në përfundim të procesit shtrëngohen nga eprorët të përfundojnë marrëdhënien e punës.

***

Ky ligj është antikushtetues, sepse flet me gjuhën e po atyre që synon (teorikisht) të largojë nga funksionet e përcaktuara në nenin 3. Në këtë mënyrë, ligji në shqyrtim shkel rëndë parimin e njohur të së drejtës se nuk ka dënim kolektiv. Dënimi është individual, pasi të jenë analizuar dhe provuar të gjitha akuzat, në respekt të një procesi të rregullt ligjor.

***

Veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” jepen nga neni 1 i tij dhe specifikisht konsistojnë në: “arratisje, sabotim, moskallëzim të krimeve kundër shtetit, ... shkelje të dekretit nr. 7459, datë 22. 1. l991 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe të simboleve shtetërore”,...etj.”. Disa prej këtyre veprimeve vazhdojnë të jenë edhe sot të dënueshme dhe të përbëjnë vepër penale të parashikuar nga Kodi Penal (si p.sh., neni 160 “Shkatërrimi i veprave kulturore”, neni 231 “Veprat e dhunshme ndaj pasurisë”, neni 248 “Shpërdorimi i detyrës”, neni 297 “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, etj.).

Cili është ai njeri që sot mund të thotë me siguri absolute se proceset gjyqësore lidhur me p.sh., sabotimet në degë të ndryshme të ekonomisë nuk ishin të tilla, pra sabotime në dëm të pronës shtetërore. Padyshim që kishte prej këtyre proceseve edhe të tillë të montuar dhe parafabrikuar (plotësisht apo pjesërisht) nga organet e diktaturës, por askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se ato ishin që të gjitha, në të gjithë komponentët e tyre, procese të pavërteta.

***

Ligji i goditur nuk parashikon asnjë afat në lidhje me kufizimin e të drejtës së parashikuar nga neni 49 i Kushtetutës. Njëherë e mirë që Autoriteti e vlerëson si “të padenjë” shtetasin e interesuar, ky i fundit nuk mund të punojë për të gjithë jetën e tij në ndonjë prej funksioneve të parashikuara nga neni 3 i ligjit. Në këtë mënyrë ligji i mohon këtij shtetasi çdo lloj mundësie për t’u rehabilituar në shoqërinë demokratike, ndërkohë që kjo shoqëri po i ngre çdo ditë standardet demokratike dhe Shqipëria është një kandidate potenciale për në NATO dhe BE. Si i tillë ky kufizim është plotësisht jo-proporcional. Ky konkluzion i yni shkon paralel edhe me vendimmarrjen e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (shiko vendimi Ždanoka v. Letonisë, i datës 16.03.2006).

***

Neni 25 i ligjit të goditur parashikon se:

“1. Autoriteti krijon një regjistër elektronik për të gjitha rastet e verifikuara dhe publikon në faqen e vet zyrtare informacion për numrin e rasteve të verifikuara. Ky informacion përditësohet çdo javë.

2. Autoriteti bën publike në faqen zyrtare identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët nuk është zhvilluar procedura e skualifikimit, sipas nenit 23 të këtij ligji, apo nuk ka përfunduar marrëdhënia e punës, sipas nenit 24 të këtij ligji.”

Ky rregullim është gjithashtu një cenim i të drejtave kushtetuese, praktikisht neni 35 (Jeta private dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor) dhe i nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në të vërtetë, ky është posaçërisht një shantazh i pamoralshëm nga ana e një institucioni që supozohet se mbron interesat dhe parimet e shtetit të së drejtës, ndaj shtetasve të këtij shteti, fajësia e të cilëve në një periudhë të mëvonshme mund të rrëzohet nga vendimet e gjykatave ky ai është ankuar.

***

Autoriteti verifikues i ngritur me këtë ligj merr përmes rregullimeve të tij prerogativa të organeve gjyqësore, të prokurorisë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Ndalimi i pezullimit të procedurës së mësipërme shkakton si dëm të menjëhershëm dhe praktikisht të pariparueshëm pamundësinë e shtetasit për t’u emëruar apo zgjedhur, sidomos po të kemi parasysh edhe detyrimin e shtetasve që do të kandidojnë në organet përfaqësuese (neni 14/3: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e regjistron kandidatin, në rast se ky nuk paraqet dëshminë e verifikimit). Ndonëse në përfundim të procesit gjyqësor ku është ankimuar dëshmia e lëshuar nga Autoriteti subjekti mund të dalë “i pastër”, ai praktikisht e ka humbur shansin për t’u zgjedhur. Në këtë kontekst, ligji me rregullimet e tij ekstreme cenon edhe parimin e prezumimit të pafajësisë, neni Neni 30 i Kushtetutës: “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.”

***

Në vijim të argumentimit të shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, vetë Autoriteti nuk plotëson asnjë standard në lidhje me pavarësinë e tij nga politika dhe pushteti ekzekutiv. Neni 6 (“Statusi dhe përbërja e Autoritetit”) parashikon se:

“4. Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si më poshtë:

a) dy përfaqësues të shumicës parlamentare

b) dy përfaqësues të pakicës parlamentare

c) kryetari me konsensus

5. Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, sipas pikës 4 të këtij neni, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile.”

***

Ndërsa flitet për një organizëm që do të japë dëshmitë e pastërtisë së figurave më të larta të shtetit, ligji nuk është kujdesur të sigurojë as minimumin e elementëve të pavarësisë (së paku në dukje), të anëtarëve të këtij autoriteti. Fakti që ata do të propozohen nga forcat politike dhe do të zgjidhen prej tyre (me shumicë të thjeshtë), mospërfshirja e një organi balancues si Presidenti apo edhe i strukturave përfaqësuese të gjyqësorit (KLD ose Konferenca Gjyqësore, apo një modalitet i ndërmjetëm) në këtë procedurë e komprometon në sytë e publikut besueshmërinë e anëtarëve të këtij autoriteti.

***

Dispozitat e ligjit Nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bien ndesh dhe me një parim të njohur të së drejtës ndërkombëtare, me parimin e ndalimit të dënimit më shumë se një herë për të njëjtin veprim (ose mosveprim). Ky parim (ne bis in idem) parashikohet edhe nga Kushtetuta jonë në nenin Neni 34: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”.

Gjykata Kushtetuese në Vendimin 5/05 ka theksuar ndër të tjera se: “Kriteri “e njëjta vepër” i referohet të njëjtit veprim, sjellje, fakt, vepër penale dhe kualifikim ligjor të tyre, të cilat formojnë bazën e kësaj vepre dhe për të cilin personi është dënuar apo liruar. Në këtë rast, është fjala kur si sjellja ashtu edhe krimi bëhen për të njëjtat fakte të ndodhura në të njëjtën kohë dhe që cilësohen njëlloj nga ligji. ... Parimi ne bis in idem, si dhe trajtimi i barabartë i të gjykuarve cenohen jo vetëm kur personi dënohet përsëri për të njëjtën vepër, por edhe kur ndiqet penalisht në mënyrë të përsëritur për këtë vepër. Prandaj, ky parim gjen zbatim edhe për rastet e mbrojtjes nga masat shtrënguese e ndaluese, të cilat janë të lidhura ngushtë me procedimin.”

Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personave të Tjerë që Lidhen me Mbrojtjen e Shtetit Demokratik” (i ndryshuar), parashikonte për pothuajse identikisht të njëjtët subjekte të parashikuar nga neni 3 i ligjit në shqyrtim, nëse në periudhën 28.11.1944-31.03.1991 (pra një periudhë më e gjatë se ligji aktual) kanë qenë në poste apo role pothuajse identikisht të ngjashme (ndryshimet lidhen tek tuk me ndonjë subjekt) me ato që parashikon neni 4 i ligjit në shqyrtim, atëherë ata nuk mund të mbajnë vendin e tyre të punës apo nuk mund të zgjidhen a emërohen deri më 31 dhjetor 2001 (kur ligji pushonte së vepruari – e parashikuar kjo qartë nga neni 18 i tij, krejt ndryshe nga rasti aktual nën shqyrtim). Shumë individë që përmendeshin (si subjekte) nga ligji i 1995 e vuajtën ndalimin për faktin e parashikuar nga ai ligj. Pas vitit 2001, ndodhi që një pjesë e tyre hyri në marrëdhënie pune në administratën publike dhe sot befas e gjejnë veten sërish të dënuar për herë të dytë, për të njëjtat veprime a mosveprime të tyre të kryera më së paku 18 vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›