Shehi: Asnjë parti e majtë nuk do i afrohet këtij grupimi
Grupimi i ri i së djathtës, i quajtur “Poli i Lirisë”, do të ketë në thelb të programit të gjitha premtimet e parealizuara për pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë, të cilat nuk u mbajtën gjatë periudhës katërvjeçare të qeverisjes së PD. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, u shpreh se këtij grupimi mund t’i bashkohen të gjitha forcat e djathta të zhgënjyera nga qeverisja e PD. “Aktualisht, janë vetëm tri parti, LZHK, Partia “Ligj dhe Drejtësi” e Spartak Ngjelës, si dhe PDK, e kryesuar nga Nard Ndoka. Jemi në negociata me Partinë e Ballit Kombëtar, shoqatën “Çamëria”, dhe më tej mund të hyjmë në negociata me pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë. Pra, të gjithë atë spektër thelbësisht të djathtë të lënë pas dore nga qeveria aktuale”, - u shpreh Shehi.
Sipas tij, në thelb të programit të këtij grupimi do të jetë shteti ligjor, prona dhe vendosja në vend e padrejtësive të komunizmit. Por, nga ana tjetër, Shehi shprehet se në mënyrë kategorike nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me ndonjë parti të majtë. “Parimi kryesor i këtij grupimi është shteti ligjor dhe pastaj me radhë, e drejta e pronës, të përndjekurve, dhe natyrisht, ajo çka është më e rëndësishme, rritja ekonomike. Ndërkohë që vlen të theksohet se nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me asnjë parti të majtë, cilado qoftë ajo”, - u shpreh Shehi.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha se ky grupim do të rregullojë gabimet që janë bërë këto katër vite nga qeverisja e Partisë Demokratike. “Poli i Lirisë” është një alternativë e re e një grupi të djathtë jashtë Partisë Demokratike, e cila përbëhet nga PDK, LZHK, PLD dhe Partia çame. Në këtë grupim janë shtuar ish-pronarët, ish-të përndjekurit politikë, të cilët në këto 4 vite janë zhgënjyer nga mosrealizimi i premtimeve të qeverisë, si dhe shumë intelektualë të tjerë të njohur brenda dhe jashtë politikës. Ky grupim i djathtë ka si synim që të rregullojë gabimet që ka bërë Partia Demokratike këto 4 vite të qeverisjes së saj. Ne kemi hartuar disa pika kryesore, ku do të përqendrohemi për të zgjidhur problemet e ish-të përndjekurve politikë, për t’i kompensuar ata dhe për t‘i integruar në shoqëri, dhe ish-pronarëve, për t’i kompensuar. Pra, me pak fjalë, nëpërmjet një platforme që kemi hartuar para pak kohe, ne synojmë të zgjidhim problemet, të cilat nuk janë zgjidhur asnjëherë, as pas vitit 2005”, - tha Ndoka.