Blerja e shkollës “NOBEL”, tjetër abuzim i Taçit
Vazhdon skandali i shkollës “NOBEL”. Të tjera dokumente flasin për skandalin e radhës në shkollën “NOBEL“, ku administrator dhe pronar i saj është z. Rezart Taçi, njëkohësisht dhe presidenti i kompanisë “Taçi Oil”. Në dokumentin e shitblerjes së shkollës “NOBEL”, dokument ky i paraqitur edhe në Hipotekë, si dhe në institucione të tjera, rezulton se shkolla “NOBEL” është blerë nga Taçi, 570.000 euro. Pra, blerja e shkollës është e shkruar e zeza mbi të bardhë 570.000 euro. Por, në dokumentin bankar z. Taçi deklaron se është paguar për blerjen e shkollës një shumë prej 819.000 eurosh. Pra, një mospërputhje midis vlerës reale të blerjes së shkollës dhe asaj që ka deklaruar z. Taçi, është skandali i radhës për atë çfarë ka ndodhur në shkollën “NOBEL”, ku protagonist është dora vetë z. Taçi. Arsyet pse e ka bërë këtë z. Taçi, sigurisht i di ai vetë, por ato të çojnë në një përfundim: transaksione të dyshimta, që në rastin më të mirë të orientojnë drejt evazionit fiskal apo përvetësim parash në dëm të shkollës “NOBEL” dhe ortakut tjetër të kësaj shkolle. Siç ju kemi vënë në dijeni në disa shkrime të mëparshme, skandali ka filluar të bëhet publik, kur z. Taçi, pasi kishte marrë një kredi prej 950.000 eurosh nga Emporiki Bank, duke vënë si kolateral shkollën “NOBEL” (kredi që do të përdorej për blerjen e saj dhe pajisjet), pas jo më shumë se 6 muajsh kërkon një kredi tjetër nga banka NBG me vlerën 3.000.000 euro (tre milionë), po me kolateral shkollën. Banka NBG, mbi bazën e kërkesës së z. Taçi dhe vlerësimit nga ana e saj, i aprovon një vlerë prej 2.000.000 eurosh (sipas të gjitha gjasave vlerësimi i kësaj shkolle nga NBG duhet të ketë qenë nga 2,7-3 milionë euro). Themi sipas gjasave, se me gjithë përpjekjet tona, asnjëherë z. Taçi dhe Banka NBG nuk kanë bërë transparente procedurat e marrjes së kësaj kredie, si dhe përdorimin e saj.
Po ashtu, nga dokumentet që kemi siguruar, rezulton se deri në shtator 2008 këto pará (dy milion euro të marra nga z. Taçi për shkollën “NOBEL” nga NBG Bank në maj 2008), nuk u përdorën për shkollën “NOBEL”, por më shumë se gjysma e tyre i kaluan kompanisë “Taçi Oil”, pa asnjë vendim asambleje dhe pa dijeninë e ortakut tjetër. Për të mbuluar dhe justifikuar këto transferta të dyshimta, që kanë lidhje me shkollën “NOBEL”, z. Taçi po përpiqet që nëpërmjet një publiciteti në medien elektronike dhe të shkruar ta paraqesë shkollën “NOBEL” si pjesë e kompanisë “Taçi Oil”, gjë që është totalisht e pavërtetë. Është absolutisht e pavërtetë, pasi të paktën deri në momentin e kalimit të këtyre parave nga shkolla “NOBEL” te “Taçi Oil”, shkolla kurrsesi dhe në asnjë dokument nuk rezulton si pjesë e kompanisë “Taçi Oil”. Dyshimi për transferta minimalisht jotransparente shtohet, po t’i referohesh faktit, që ky spot publicitar po zgjat rreth 5 muaj çdo ditë dhe 5-6 herë në ditë apo në Balkan Web, 24 për 24 orë. Pra, zoti Taçi përpiqet të fshehë të vërtetën, por harron se disponohen të gjitha dokumentet që e provojnë këtë të vërtetë. Në këtë spot televiziv pavërtetësitë ndjekin njëra-tjetrën po t’i referohesh edhe faktit tjetër, që në këtë spot theksohet se kjo shkollë drejtohet nga një zonjë, sigurisht e nderuar, e cilësuar me titullin Profesor, gjë që për hir të së vërtetës kjo zonjë nuk ka asnjë gradë apo titull shkencor, madje është në pension!
Pra, sipas dokumentacioneve të konfirmuara, gazeta ka zbuluar skandalin e radhës të z. Taçi lidhur me shkollën “NOBEL”. Çmimi i blerjes së shkollës me atë çka deklaron z. Taçi, ndryshon dhe ky ndryshim nuk është i vogël, rreth 250.000 euro. Gjithsesi, mbeten shumë enigma të tjera, të cilat do të zbulojnë totalisht një nga skandalet më të dhimbshme të këtyre kohëve, një skandal ku shkolla, ky tempull i dijes keqpërdoret. Një skandal, ku një njeri në performancë mjaft i fuqishëm financiarisht, me një cinizëm dhe arrogancë të paparë, iu heq bukën e gojës fëmijëve të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës “NOBEL”, që me një përkushtim e devocion shembullor bënë të mundur ngritjen e kësaj shkolle. Ata u ndëshkuan, vetëm e vetëm se ata nuk pranuan të bëheshin pjesë e një skandali, që për nga natyra është unik: shkolla, edukimi, dija, këto institucione që përbëjnë vlerat e një populli, cenohen çmendurisht nga një njeri, i cili nga dita në ditë po provon se përfaqëson një biznes, minimalisht jotransparent dhe të dyshimtë.
Gjithsesi, z. Taçi për bëmat lidhur me shkollën “NOBEL” dhe stafin e saj pedagogjik po përballet me jo pak, por pesë padi në gjykatë, të cilat, sipas informacioneve jo shumë të konfirmuara, do të shoqërohen edhe me një kallëzim penal në prokurori.