E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditja nga MASH e liberalizimit të librit shkollor e çon politikën për arsimin 50 vjet mbrapa

Nga Prof. As. Astrit Hoti

Mbetën të shtangur pas fjalëve të ministrit F. Beja, në intervistën në “Klan”, autorë e mësues, specialistë të ISP dhe të MASH, botues e shtypshkronja, të cilëve iu digjej puna në dorë!!

Ky zotëri, që duket se doli me porosi nga zyra, dha lajme të çuditshme: librat e rinj për gjimnazin e reformuar (viti I, II, III), do të përkthehen nga tekste të huaj. Këtë gjë ministri vetë na e quajti shumë pozitive(?!) (dukuria vërehet në disa shtete pa stabilitet në Afrikë, ose në disa shtete koloni që ekzistojnë ende sot) - vende jashtë edhe asaj që quhet bota e tretë..!

Mjerë ne… do të thoshte Petro Marko

Pas viteve ‘90, nxënësit shqiptarë që vërshuan në botë, patën rezultate të larta në mësime, pasi përvoja e shkollës sonë ishte e mirë dhe përgatitja e tyre ishte serioze. Librat ku kishin mësuar kishin karakter shkencor, megjithëse jo gjithmonë kishin mbështetje të fortë ta bazës materiale laboratorike. Interpretimi i fenomeneve nga mësues të përgatitur e seriozë, i bënte ata të kuptueshëm për nxënësit.

Kjo përvojë ra në sy të specialistëve të Bankës Botërore, të cilët pranë MASH që nga 1992 vlerësuan arritjet, depolitizimin nga z. Vejsiu të viteve ’92-‘94 dhe ngulmuan në procesin e liberalizimit, që shkallë- shkallë po pushtonte politikat arsimore të vendeve si Rumania, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Estonia etj. Procesi i liberalizimit të arsimit parauniversitar përfshiu edhe vendet e pellgut tonë: Maqedoni, Mal i Zi e Kosovë, të cilat janë në përfundim të procesit. Rezultati i tyre janë libra alternativë në të gjithë arsimin parauniversitar, çmime të liberalizuara, cilësi (shumica e vendeve bën subvencion të plotë të arsimit të detyrueshëm, pasi drejtuesit e tyre i dinë Objektivat e Mijëvjeçarit, dhe nuk duan që në vendet e tyre të rishfaqet analfabetizmi dhe braktisja e shkollës, si te ne).

Dhjetë vjet instruktuan specialistët e Bankës Botërore (me qindra mijëra euro) MASH, institutin, specialistët, botuesit për liberalizimin e tregut të librave, për arritjen te tekstet alternative me konkurs, për të ikur nga modeli i vjetër: një lëndë, një tekst – tipik në vendet nën diktaturë.

Ashtu punohej me grupe në MASH dhe institut, me përshtatje librash nga Bashkimi i madh Sovjetik, në vitet ‘50. Siç duket aty dashkan të na çojnë përsëri z. Beja me një grup të besuarish, që e kanë marrë në dorë këtë problem. Deri tani diçka pëshpëritej ose edhe u dëgjua nga vetë kryeministri në krah të të cilit u duk në ekran një natë të vonë z. Bardh Musai, i vetakredituar, thonë komshi i mirë i z. Berisha(?!) Pra, kujdesi për edukimin shkencor të gjimnazistëve do të kalojë në njerëz të besuar të partisë në pushtet, në bazë lagjeje apo pallati.

Pse në Shqipëri nuk ka më as pedagogë të nderuar, as hartues programesh e librash, nuk ka më as specialistë e metodistë didaktë dhe as mësues që aq bukur e lehtësojnë librin dhe i japin atij karakterin praktik (përvoja e pasur e këtyre katër-pesë viteve të fundit, përveç disa të metave që kanë ardhur drejtpërdrejt nga MASH, kryesisht të vlerësimit të keq e përzgjedhjes së librave nga shkollat me urdhra nga lart, që sigurisht do t’i sheshojë më pas: transparenca, profesionalizmi, emancipimi i mësuesve dhe shoqërisë, i analistëve, për të qenë kritikë në kohën e duhur) etj?

Kurrikulat (hartuar prej disa muajsh prej grupeve të punës, specialistë të lëndës, pranë Institutit), ka urdhër nga lart që nuk duhet të miratohen në MASH (prandaj po vonohen me muaj mbi tavolina, megjithëse librat e rinj duhet të jenë gati për në shtator!!!), sepse ato programe janë hartuar duke pasur parasysh: çfarë është bërë në arsimin 9-vjeçar, çfarë objektivash ka për gjimnazin për njohuritë themelore dhe të diferencuara, dhe çfarë duhet bërë plus për nxënës me aftësi të veçanta, pra janë hartuar sipas rregullave procedurale rreptësisht shkencore, e madje specialistët rrogëtarë janë paguar për atë punë..

Mirëpo këto programe nuk përputhen me librat që ka ofruar z. Bardh Musai me agjencinë e tij.. atëherë, ato, programet e bëra, duhet të zhbëhen!

Heshtje nga të punësuarit pranë MASH dhe ISP nga frika se largohen nga puna

Si gjithmonë që ne e zëmë veshin më kollaj nga mbrapa, atëherë pranë MASH duhen disa grupe të tjera specialistësh të urtë partiakë, që të kritikojmë programet, t’u lëvizim vijat e kapitujt, që të na shkojnë e të na puthiten në hullinë e Bardh Musait, që ky zotëri e miqtë e tij pa konkurs të kenë monopolin e librit shkollor në gjimnaz.

Është gati e pabesueshme, por kështu po ndodh…, e pohoi vetë ministri, i cili nuk e vret mendjen o nuk kupton, ose thotë ta shtyj mirë me Berishën edhe këto 4-5 muaj në atë detyrë. T’i rregullojmë njëherë projektin Bardhit, pa pastaj, kur t’i dali tymi, le ta rregullojnë të tjerët…

Pra, në MASH, megjithëse ekziston VKM Nr. 144, 18 mars 2006, e zëvendëson me VKM Nr. 260, 18.04 2007 (mbi shpalljen e liberalizimit dhe alternativave, politikë e lavdëruar deri dje nga z. Berisha dhe z. Pollo), për liberalizimin e tregut si në çdo fushë të jetës, duket se pas urdhrave të fshehtë dëshiron të na kthejë pas, drejt tregun monopol të vetakredituarve të saj.

Këtu duhet të sensibilizohet çdo specialist me mend, i djathtë apo i majtë, shoqëria civile, pasi procesi i liberalizimit, reforma nuk duhet të ndalet, ajo duhet të përmirësohet hap pas hapi. Librat që kanë dalë këto 4- 5 vjet përgjithësisht janë të mirë, me cilësi të pranueshme për çmimet shumë të ulëta që kanë: 60 deri 500 lekë, kur një libër i arsimit parauniversitar në Evropë kushton nga 5 deri në 35 euro.

Ministria duhet t’i analizojë ata me vëmendje dhe t’i përmirësojë.

Askush nuk duhet të pengojë shpalljen e programeve për gjimnazet, të mbyllë një punë, për të cilën janë të gjithë të interesuar, veçse MASH është tejet vonë dhe duhet të bëj adoptime për shtatorin 2009.

Askush nuk duhet të lejojë punën në të zezë pranë MASH dhe monopolin mbi gjimnazin!

Zotërinjtë e përkëdhelur mund të organizojnë punën me përkthyes e libra të huaj, por ata s’mund të pengojnë autorët e botuesit, që të konkurrojnë për të fituar punë, me mund e cilësi, në një shoqëri demokratike.

50 vjet mbrapa na çon kjo çudi e ministrit të Arsimit, dhe ndoshta në Botën e katërt…

E gjithë kjo aferë mban erë të shëmtuar korrupsioni, monopolizimi. Pozita dhe opozita duhet të kuptojnë thelbin e procesit të liberalizimit: konkurrenca sjell cilësi. MASH, për të shmangur gabimet e vërejtura e të konstatuara, duhet të organizojë shumë mirë konkursin, duhet të vendosë si miratues librash personalitete me integritet, që nuk i mungojnë Shqipërisë, jo-partiakë, që të fitojnë me të vërtetë autorët më të mirë, mendje e duarartë, plot me ide origjinale, që nuk i mungojnë Shqipërisë.

Nga ana financiare të gjithë procesin deri tani e kanë mbështetur kryesisht botuesit. Pjesa që ka vënë shteti për librin ka ardhur duke zbritur, kur duhej të kishte rritje, pasi edukimi i brezit të ri duhet të jetë detyrë mbi detyrat, aty duhet të jetë i gjithë kujdesi i shoqërisë që kërkon me ngulm të integrohet në Evropë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›