BSH ul normën e interesit me 0,5 pikë si masë për të lehtësuar krizën
Banka e Shqipërisë ka ulur dje normën e interesit me 0,5 pikë përqindje duke e çuar në 5,7%. Guvernatori Fullani tha se kjo masë është marrë në përpjekje për t’i dhënë një frymëmarrje të re tregut të kapitaleve duke ulur koston e parasë. Sipas guvernatorit, kjo gjë do të bëjë që kreditë të kushtojnë më pak dhe biznesi së bashku me konsumatorët të kenë më shumë mundësi. Me uljen e normës së interesit teorikisht pritet të ketë ulje të kostos së parasë dhe rritje të kredive, por realisht kjo gjë do të duhet të shihet. Pritet që me këtë rast bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Propozimi për uljen e normës së interesit ka hasur në kundërshtimin e mjaft ekspertëve, të cilët thonë se ky vendim do të dobësojë pozitat e lekut, ndërkohë që të tjerë ekspertë mendojnë se kjo masë do të shërbejë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve. Shqipëria ka një ndër normat e interesit më të larta në të gjitha vendet në këtë kohë krize dhe norma e interesit do të ishte dashur të ulej kohë më parë dhe në vlerë më të madhe sesa kaq. ShBA kanë normë interesi gati zero, BE e ka atë 2%. Shqipëria, e gjendur para panikut të rritjes së inflacionit, i rriti normat e interesit vazhdimisht dy vitet e fundit duke bërë që kapitalet të prireshin drejt bankave dhe jo drejt tregut. Ulja e normës së interesit do të bëjë që edhe norma e depozitave të bjerë dhe ky përsëri mund të jetë një zhvillim që mund ta ndihmojë ekonominë duke bërë që paraja të mos shkojë në banka. Fullani theksoi se ulja e normës së interesit është dhe një ndër masat për përmirësimin e depozitave. “Momenti i sotëm për ndryshimin e normës së interesit ka të bëjë dhe me një sjellje më të mirë për depozitat, që padyshim është një premisë kryesore për mbarëvajtjen e parametrave të bankave të Shqipërisë, premisë për zhvillimin e sistemit financiar në vend e njëkohësisht për stimuj që sistemi bankar do të japë një rritje të qëndrueshme në vend”, - cilësoi Fullani. “Nëpërmjet këtij vendimi krijohen shanse reale për aktivitetin ekonomik të vendit”, - tha z. Fullani, duke shtuar se është edhe një kontribut i drejtpërdrejtë dhe në rrëzimin e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare, si dhe ndihmon qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë të vendit. Në lidhje me efektet e krizës ekonomike botërore në ekonominë tonë Banka e Shqipërisë nuk e ka të qartë se sa do të preket ekonomia shqiptare nga kriza globale. Guvernatori Fullani tha vetëm se, “Banka e Shqipërisë thekson se ndikimi i krizës botërore në Shqipëri do të varet si nga intensiteti, dhe kohëzgjatja e saj. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohet me një rritje të ngadalshme të ekonomisë”.