E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e KiE, raport për Shqipërinë në janar

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të debatojë në datat 25-29 janar të vitit 2010 për situatën në Shqipëri. Njoftimi bëhet i ditur nga përfaqësia e Këshillit të Europës në Shqipëri. Kjo kohë përkon me kthimin nga Shqipëria të dy bashkëraportuesve për Shqipërinë në Komitetin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Ata janë Jaakko Laakso dhe David Wilshire. Deri në janar të vitit të ardhshëm, përfaqësuesit e Këshillit të Europës do të mund të skanojnë Shqipërinë në të gjitha aspektet dhe angazhimet e ndërmarra.

Sakaq, siç është paralajmëruar, në muajin nëntor mund të fillojë edhe shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Nëse kërkesa do të marrë një dritë jeshile, siç është premtuar, atëherë do t‘i kërkohet Komisionit Europian që të përgatisë një raport të detajuar mbi Shqipërinë. Dokument mbi të cilin më tutje, vendet anëtare të Bashkimit Europian do të diskutojnë nëse miratohet statusi i kandidatit apo jo. Gjithsesi, hartimi i raportit nga Komisioni Europian do të çojë në një vëzhgim të imtësishëm të Shqipërisë. Ekspertët do të analizojnë të gjitha fushat për të parë se sa përputhen me standardet e Bashkimit Europian.

Një tjetër vëzhgim që do t‘i bëhet Shqipërisë është ai për plotësimin e kushteve në raport me procesin e liberalizimit të regjimit të vizave. Komisioni Europian do të dërgojë misionet e vëzhgimit për të parë reformat e kryera në të katër blloqet e udhërrëfyesit. Përmbushja e kritereve do të përkthehet në një vendim për heqjen e regjimit të vizave diku nga mesi i vitit 2010. Në të gjithë këtë proces monitorimi, duket se do të sjellë problem kriza politike e pazgjidhur në Shqipëri. Që prej konstituimit të Parlamentit, opozita nuk ka qenë e pranishme ndërsa ka vendosur si kusht hapjen e kutive të votimit. Nuk dihet ende se çfarë kostoje mund të ketë një situatë e tillë politike në raport me proceset integruese dhe monitorimet që do t‘i kryhen Shqipërisë. Ajo çka është e sigurt ka të bëjë me faktin se për të kryer reformat madhore do të duhej një shumicë e cilësuar votash në Parlament, diçka që nuk ekziston.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›