Presidenti hungarez: Opozita duhet të jetë në Parlament
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Presidentin hungarez, zotin Lazlo Solyom. Duke e falënderuar për vizitën e tij, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Solyom mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO, dhe procesin e integrimit në BE. Duke vlerësuar lidhjet e shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve, të dy personalitetet shprehën vullnetin për intensifikimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë përbën një hap tjetër shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin Solyom për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme dhe u shprehu besimin se bashkëpunimi i ndërsjellë do të njohë nivele të reja edhe më të larta. Nga ana e tij, Presidenti hungarez, Lazlo Solyom, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, si rezultat i reformave në shumë fusha dhe siguroi se Hungaria do të mbështesë dhe ndihmojë Shqipërinë me të gjitha mundësitë, në procesin e integrimit sa më të shpejtë të vendit në BE dhe në liberalizmin e vizave. Kryeministri Berisha u shpreh se pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian është çështja më madhore e përkrahur nga 94% e shqiptarëve, gjë kjo që i hap dritën jeshile qeverinë shqiptare për të vazhduar e vendosur drejt implementimit të reformave dhe plotësimit të standardeve të kërkuara në këtë drejtim. Gjatë takimit u diskutua ndër të tjera edhe për situatën paszgjedhore. Lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërimin e votave, zyra e shtypit të Kryeministrit Berisha thotë se, Presidenti hungarez, Lazlo Solyom, u shpreh se në qoftë se do të ndërhyhej për të ndryshuar vendimet e gjyqësorit kjo do të kishte një çmim shumë të rëndë për vendin dhe shtetin ligjor, prandaj në asnjë rast një çmim i tillë nuk mund të pranohet!. "Kurse për sa i përket bojkotit të opozitës, Presidenti hungarez, Lazlo Solyom, u shpreh se komuniteti ndërkombëtar pret që opozita të hyjë në Parlament", vijon njoftimi për shtyp i Këshillit të Ministrave. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha e njohu Presidentin me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të ndryshuar Shqipërinë, si ndërtimi i një rrjeti të ri dhe modern infrastrukturor, projekti ambicioz i "Shqipërisë në moshën dixhitale", reformat e ndërmarra në arsim, si dhe fuqizimi i ekonomisë shqiptare. Pas takimit, Presidentit hungarez, Solyom, mori pjesë në drekën zyrtare, të shtruar për nder të tij, nga Kryeministri Berisha.