Asambleja e NATO-s, Topalli: Do të shembim murin e Shengenit
Asambleja Parlamentare e NATO-s u mblodh dje në Oslo të Norvegjisë, ku Shqipëria mori pjesë në të për herë të parë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pati mundësinë të mbante një fjalim përpara drejtuesve parlamentarë të të gjitha vendeve anëtare. Fillimi i fjalimit të Topallit drejtohej nga krenaria dhe falënderime, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se hyrja e vendit në NATO nuk ishte dhuratë, por një përgjegjësi që Shqipëria vendosi ta merrte përsipër. Përpara përfaqësuesve të vendeve anëtarë të NATO-s, ku pjesa më e madhe e tyre janë edhe anëtarë të BE-së, Topalli bëri dy thirrje, duke kërkuar fillimisht që të rrëzohet muri i vizave për shqiptarët si dhe kërkoi monitorimin sa më të gjerë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Por një mur tjetër duhet të shembim, së bashku me vendet mike. Murin e Shengenit. Ky është fokusi i politikës sonë të jashtme, kjo është ambicia jonë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj. E ndiej që edhe kësaj radhe ju do të na mbështesni, do të mbështesni një popull që u izolua tërësisht nga e gjithë bota për 50 vjet. Një popull që një të tretën e tij e ka sot jashtë kufijve të Shqipërisë”, - deklaroi topalli. Ndërsa për procesin zgjedhor, ajo informoi se për herë të parë shqiptarët votojnë me sigurinë më të lartë dhe me një infrastrukturë moderne. “Sfida kryesore që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Unë si kryetare e Kuvendit, ndihem shumë mirë që për herë të parë shqiptarët do të shkojnë në këto zgjedhje me një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne. Ju ftoj të vini dhe të monitoroni zgjedhjet në Shqipëri”, - bëri të ditur Topalli.
Në vijim të fjalës së saj, ajo u përcolli parlamentarëve të NATO-s lumturinë e çdo shqiptari. “Ndërsa sot unë sjell me vete lumturinë e të gjithë shqiptarëve, të cilëve ëndrra e NATO-s iu kthye në realitet. Faleminderit popujve dhe qeverive tuaja aleate, që e ushqyet dhe i dhatë jetë kësaj ëndrre!”, - tha ajo duke kujtuar se populli shqiptar ka vuajtur në ekzistencën e tij të gjatë në histori. “Por, - vazhdoi Topalli, - vendi është në rrugë të mbarë”, si dhe vlerësoi drejtimin e vendit nga Sali Berisha. “Sali Berisha, sot Kryeministër i vendit, nënshkroi në vitin 2009 anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nënshkroi kërkesën për statusin e vendit kandidat, duke pasur me vete energjinë, ëndrrën, vokacionin e pashtershëm proevropian të shqiptarëve, shpirtin e tyre të paqtë, kodin e tyre të lirisë”, - vlerësoi Topalli, duke thënë më tej se Shqipëria vazhdon me rritje të lartë ekonomike pavarësisht krizës ndërkombëtare. Sipas saj, kjo ndodhi për shkak të filozofisë politike të kësaj qeverie.