E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-Nishanit: Duam të dhënat për kartat

PS kërkon të informohet në mënyrë zyrtare lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.


TIRANË- Kur kanë mbetur edhe pak më shumë se një muaj nga dita e zgjedhjeve, Partia Socialiste shprehet e alarmuar për fatin e rreth 300 mijë shqiptarëve me të drejtë vote, që nuk kanë ende një nga dy mjetet e identifikimit, pra pasaportë dhe kartë identiteti me të cilat mund të votojnë.


E gjendur përpara një situate të tillë, selia rozë kërkon të sensibilizojë strukturat kompetente shtetërore dhe gjithë faktorin ndërkombëtar, për të nxitur procesin e pajisjes së qytetarëve, pa pasaportë me letërnjoftime elektronike, si dhe për të gjetur zgjidhjet e duhura, për ata që deri në prag të zgjedhjeve, nuk do të kenë në dorë një nga këto dy mjete identifikuese.


Për këtë arsye, selia rozë me anë të sekretarit të saj për çështjet Ligjore, Kastriot Islami i ka nisur dje një letër zyrtare Ministrisë së Brendshme, për të cilën ka vënë në dijeni dhe prezencën e OSBE/ODIHR-it dhe grupin e vëzhguesve në Tiranë, ku kërkon të informohet në mënyrë po zyrtare lidhur situatën që ekziston lidhur me këtë proces.


Letra


Në letër socialistët shprehin që në krye të saj shqetësimin për pamundësinë pajisjes së një numri të konsiderueshëm votuesish pa pasaportë me letërnjoftim, gjë që, sipas tyre, do të pengonte pjesëmarrjen e tyre në votimet e 28 qershorit 2009 dhe do të përbënte një cenim të së drejtës kushtetuese të votës.


Për këtë arsye, ata kërkojnë transparencë maksimale për gjithë forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe për votuesit e publikun e gjerë.


Në vijim të këtij qëllimi, PS kërkon që t'i vihet në dispozicion informacioni i plotë jo vetëm numri, por edhe lista e plotë e shtetasve, që kanë pasaportë, shtetasve që s'kanë pasaportë dhe që kanë aplikuar për letërnjoftim dhe listën e atyre zgjedhësve pa pasaportë që kanë mundur të marrin kartën në dorë.


"Ju kërkojmë që brenda datës 30 maj 2009 të na vini në dispozicion 1) listën e votuesve me pasaportë, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri në datën 20 maj 2009, 2) listën e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar, të përditësuar me të dhënat e datës 20 maj 2009, 3) listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë ( janë pajisur) letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 20 maj 2009",- thuhet në letrën që dje ka mbërritur në dyert e Ministrisë së Brendshme dhe të përfaqësisë së OSBE/ODIHR-it në Tiranë.


Zgjidhjet


Por marrja e këtij informacioni nuk është kërkesa e vetme e socialistëve. Kjo pasi në letrën e tyre ata përveç informimit lidhur me këto element të këtij procesi, i kërkojnë Ministrisë së Brendshme që të bëjë të ditura edhe zgjidhjet, që ajo ka menduar të praktikojë për të gjithë ata shtetas që deri në prag të zgjedhjeve nuk do të kenë aplikuar apo nuk do të jenë pajisur me kartën e identitetit.


Kjo, sipas selisë rozë bëhet më e domosdoshme për vet faktin se ajo është skeptike, që për kohën e mbetur në dispozicion të mund të arrihet, që të pajisen me karta identiteti të gjithë shtetasit që deri më tani nuk kanë aplikuar për kartë identiteti. "Tanimë detyra e pajisjes me pasaportë apo letërnjoftimin e të gjithë zgjedhësve prezentë në listën e votuesve duket e pamundur me standardet demokratike.


Do të ishte me interes të kishim dijeni gjithashtu për opsionet eventuale të zgjidhjes që do të mundësonin të gjithë votuesit pa pasaportë të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për letërnjoftim, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009", - shprehet më tej sekretari socialistë në letrën e nisur Ministrisë së Brendshme.


PS bënë të ditur gjithashtu se vetëm pas shqyrtimit dhe analizimit të këtij informacioni, PS do të mund të marrë dhe qëndrimin e saj kundrejt procesit të ardhshëm zgjedhor.


"Ju lutem na dërgoni informacionet e kërkuara me sipër dhe opsionet e zgjidhjes. Analiza e këtyre informacioneve dhe vlerësimet përkatëse do të jenë në themel të qëndrimit të PSSH-së ndaj këtij aspekti përcaktues të procesit zgjedhor", - thuhet në këtë letër.


Ndërkohë, informacioni më i freskët zyrtar lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve ka ardhur disa ditë më parë nga një informim që Ministria e Brendshme i bënte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku rezultonte se deri në datën 19 maj kishin aplikuar 1 milion shtetas, por se 370 mijë të tjerë që nuk kanë pasaportë nuk kishin aplikuar ende.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›