E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Veliaj denoncohet në polici për vjedhjen e 300 mijë eurove



Avokati Altin Goxhaj ka paraqitur në polici faktet e grumbulluara prej tij që përfshijnë Veliajn në vjedhjen e 300 mijë eurove të fondacionit “Mjaft”. G99 nuk pranon të bëjë transparente transaksionet apo të ballafaqohet me dokumentet e servirura nga Goxhaj

Zhdukja misterioze e fondacionit “Mjaft”, së bashku me 300 mijë euro donacione, duket se do ta çojnë përpara dyerve të policisë drejtuesin e grupimit G99, Erion Veliaj. Abuzimi me këtë fond është denoncuar dje në Drejtorinë e Krimit Financiar për përvetësimin e 300 mijë eurove gjatë periudhës që ishte drejtues i lëvizjes “Mjaft”. Ky fond u sigurua nëpërmjet donatorëve të huaj për dhënien e mikro-kredive për sipërmarrësit e rinj, por u zhduk së bashku me fondacionin.

“Të dhëna të plota të investiguara u denoncuan pranë Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si fazë e parë e denoncimit. Në ditët në vazhdim denoncimi do të shtrihet edhe në struktura të tjera të specializuara përfshi edhe Prokurorinë”, – deklaroi avokati Altin Goxhaj, pas paraqitjes së dokumenteve.

Në investigimin e kryer nga lëvizja “Zgjohu” dhe avokati Goxhaj rezulton se shuma e dhënë nga donatorët e huaj ka përfunduar në një llogari bankare në San Francisko të Shteteve të Bashkuara, pronar i së cilës është pikërisht Erion Veliaj.

Burime pranë G99-s dhe “Mjaft” nuk pranojnë të deklarohen publikisht, por mohojnë të gjitha akuzat e kryera në drejtim të Veliajt, duke i cilësuar ato tendencioze. Këto burime deklarojnë se donacionet janë marrë në emër të fondacionit “Mjaft” nga një institut i drejtuar nga Marti Ahtisari, ndërsa për zhdukjen e fondeve nuk ka pasur komente.

“Këto para që thithi fondacioni “Mjaft” në emër të mbështetjes së vetëpunësimit rinor nëpërmjet kreditimit, u zhdukën një ditë të bukur dhe ndërkohë lindën biznese të reja private që implikojnë Erion Veliajn, Arbër Veliajn, Arbër Maznikun, Endri Fugën. Skema e thithjes dhe transferimit të këtyre parave implikon shkeljen e një numri të madh nenesh të legjislacionit shqiptar, çka i jep një përmasë reale një krimi penal që përfshin shumë persona, të cilët sot janë drejtuesit kryesorë të grupimit politik G99 dhe të lëvizjes “Mjaft”, – deklaroi Goxhaj.

Sipas tij, në Drejtorinë e Krimit Financiar u paraqitën të dhëna për llogarinë bankare që kontrollon Veliaj në San Francisko dhe zhdukjen e këtyre të dhënave. Burimet pranë këtyre subjekteve deklarojnë se nuk është dhënë asnjëherë kredi për vëllain e Erion Veliajt, por nuk pranuan të ballafaqohen me faktet. Kjo, pasi, në një faksimile tjetër të paraqitur nga Goxhaj tregohej një pamje fotografike e vëllait të Erion Veliajt duke marrë kredinë që i kishte dhënë i vëllai. Në një dokument tjetër demaskohej skema e "kontratës së konfidencialitetit" që ishin detyruar të firmosnin anëtarët e stafit të fondacionit “Mjaft” që zotoheshin se do të ruanin në mënyrë sekrete të gjitha të dhënat financiare të fondacionit.

“Natyrisht që denoncimi është vonuar për arsye objektive, pasi vetëm 3 ditë më parë kanë mbërritur të dhëna të tjera të investiguara në SHBA mbi numrin e llogarisë bankare në San Francisko dhe adresën që është përdorur për këtë qëllim”, – bëri të ditur Goxhaj. Tashmë, avokat Altin Goxhaj kalon nga denoncimet mediatike dhe publike nëpërmjet protestave drejt një stadi të ri për të dekonstruktuar këtë skemë korruptive që ka funksionuar prej vitesh në shoqërinë civile, duke shkretuar të gjithë sektorin joqeveritar për qëllime të mirëfillta politike.

Goxhaj akuzoi dje se 300 mijë eurot që ai kishte arritur të faktonte, janë vetëm një pjesë e shumës së grabitur. “Shuma që ka gllabëruar Erion Veliaj në shoqërinë civile, është 5.4 milionë euro, të cilat iu hoqën zhvillimit të sektorit rinor joqeveritar me qëllim për lançimin dhe mediatizimin e tij në politikë si instrument në duart e Edi Ramës”, – tha Goxhaj, duke paralajmëruar se në ditët në vazhdim, lëvizja “Zgjohu”, e cila synon rizgjimin e shoqërisë civile të shkretuar nga cikloni sorosian i “Mjaft”-it dhe G99-s, do të bëjë denoncime të reja në bazë të një dosieri të investiguar prej vitesh”.

Përballë këtyre akuzave të drejtpërdrejta e të dokumentuara, lëvizja G99, Erion Veliaj dhe organizata “Mjaft” nuk kanë reaguar ende. Në mjedise jopublike ata mohojnë të gjitha akuzat, por nuk pranojnë të ballafaqohen me dokumentet e servirura nga avokati Altin Goxhaj. Transparenca të cilën “Mjaft”, G99, e subjekte të tjera kërkojnë në çdo çast ndaj çdo institucioni, duket se nuk vlen në rastet kur këto subjekte vendosen në bankën e të akuzuarve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›