Meta: Nano, faktor me rëndësi për fitoren e së majtës
Shanset që Fatos Nano të ketë një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje duket se janë të mëdha. Deklaratat dhe kritikat e tij publike ndaj së majtës, që po shkon e ndarë në këto zgjedhje, nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Megjithëse nuk i ka dëgjuar pasardhësi i tij, Edi Rama, një tjetër ish-bashkëpunëtor i tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta i ka parë këto kritika si racionale dhe e konsideroi Nanon faktor me rëndësi për fitoren e së majtës. Deklarata e Metës dhënë në emisionin “Opinion” në TV Klan dhe më pas për median, lënë të kuptohet qartë se kjo është një ftesë publike për liderin historik të socialistëve, që të pozicionohet me LSI-në në këto zgjedhje, ose më së paku, ka bekimin e Metës për të ndërmarrë hapin e bashkimit të socialistëve që janë ndarë në tre parti. “Jam shumë i hapur të bashkëpunoj me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë dhe padyshim që më duhet të theksoj se z. Nano është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare, për fitoren e së majtës dhe forcave progresiste dhe nxjerrjen në pension politik të Kryeministrit aktual, z. Berisha”, - tha Meta i pyetur për mundësinë e riafrimit me Nanon, me të cilin është ndarë politikisht që në vitin 2004, kur iku nga PS-ja për të krijuar LSI-në, si pasojë e konfliktit brenda tyre.
Ndërkohë Meta duke iu referuar qëndrimeve të Nanos komentoi se “nga qëndrimet e z. Nano, unë do të doja të merrja thelbin e shqetësimit të tij. Atë çka do të vlerësoja si më racionalen nga shqetësimi i tij, është pikërisht domosdoshmëria e një bashkëpunimi midis forcave të opozitës, për të garantuar një fitore në zgjedhjet e 28 qershorit”. Duket se kreu i LSI-së kupton qartë impaktin që ka akoma në elektoratin socialist figura dhe qëndrimet e liderit historik të PS-së. Në këtë mënyrë, ai e sheh me interes rolin e tij në këtë fushatë. “Uroj që z. Nano pavarësisht nga moskandidimi për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, të ketë një rol aktiv për të ndihmuar në fitoren e opozitës dhe të majtës në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi duhet thënë se ai përfaqëson një faktor shumë të rëndësishëm të së majtës”, - theksoi ai në deklaratën e djeshme për median. Njëkohësisht Meta la të hapur dhe mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve, duke thënë se “pas 28 qershorit, projekti për bashkëpunimin e të majtës mbi principe shumë demokratike do të jetë i hapur”. Përkundër frazave të Edi Ramës, sipas të cilit, Fatos Nano po punon kundër fitores së PS-së dhe se i ka kthyer kurrizin partisë, kreu i LSI-së e cilëson atë “faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare, për shkak të një roli të rëndësishëm dhe historik që ai ka pasur”. Duke mos tentuar të lërë mënjanë dhe historinë e kundërshtive që i lidh ata të dy, Meta tha për Nanon se “ai përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht besoj se është një figurë ende shumë përfaqësuese dhe në këtë drejtim është i domosdoshëm bashkëpunimi me të dhe një rol i tij më aktiv në drejtim të fitores së përbashkët të së majtës dhe opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit”.
Nano: Dua të bashkoj të majtën
Vetëm një javë më parë ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, hodhi idenë e bashkimit të së majtës, ku ai të luante një rol vendimtar. Hyrja në zgjedhje të ndarë, PS-LSI, sipas tij, do të sjellë humbjen. “Ajo që unë kam nxitur ka qenë shprehja e vullnetit tim, se në rast se ka një vullnet serioz që unë të kontribuoj për bashkimin e së majtës që nuk erdhi kurrë, kam pritur për bashkimin e së majtës, unifikimin e së majtës. Prita të krijohej hapësira për bashkimin e së majtës. Edhe të Ramës me Metën, se duhen respektuar përfaqësuesit legalë. E kam ngritur këtë në të gjitha ambientet që lëvizin këta persona. Kam dhënë gatishmërinë për të bashkuar këta njerëz. Bashkimi i së majtës është e vetmja kartë fituese”, - sqaroi Nano tezën e tij për bashkim politik.