E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE nis konsultimet për liberalizimin e vizave

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të fillojnë që sot konsultimet mbi raportin e Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Komisioni Evropian njoftoi se raporti në fjalë tashmë u është dërguar 27 vendeve anëtare. Kohëzgjatja e konsultimeve dhe opinioni i vendeve anëtare do të jenë përcaktues për një regjim të lirë pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe komisioner për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Jacques Barrot deklaroi se pasi çdo vend anëtar të shprehet lidhur me këtë çështje, brenda afatit më të shkurtër të mundshëm ai do të propozojë heqjen e vizave Shengen për vendet që kanë përmbushur kriteret. "Jam i bindur se heqja e vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është një perspektivë e dukshme", vlerësoi Barrot duke shprehur kënaqësinë lidhur me përpjekjet e shteteve të rajonit në përmbushjen e kushteve dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me misionet e ekspertëve të KE-së. Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave miratohet me shumicë kualifikuese prej dy të tretash të vendeve anëtare të BE-së, pas një mendimi paraprak të Parlamentit Evropian.


******


Vizat, KE "ngel në klasë" Shqipërinë

18 Maj

Një dokument konfidencial paralajmëron se, me gjithë hapat e parë të qeverisë, ende nuk janë plotësuar kushtet e vendosura

TIRANË - Shqipëria duket ende larg përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave.


Teksa sot pritet që Komisioni Europian të dorëzojë tek 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian raportet përkatëse për procesin e liberalizimit të vizave me Ballkanin, një dokument konfidencial tregon se vendi ynë është ende larg. Sipas tij, Shqipëria nuk ka përmbushur të gjitha kriteret për hedhjen e këtij hapi.


Ky dokument është hartuar në zyrat e Këshillit të Europës dhe tregon qëndrimin e BE-së për ecurinë e reformave dhe plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë, në kuadër të Stabilizim Asociimit. Liberalizimi i vizave është cilësuar si një nga çështjet më të ndjeshme për shqiptarët dhe po përdoret nga qeveria aktuale si kali i betejës në këtë fushatë zgjedhore.


Por, ndryshe nga ato që pretendon dhe deklaron qeveria, KE-ja mendon se ka progres, por jo aq sa duhet për "të kaluar klasën". Raporti paraqet në mënyrë të detajuar edhe fushat ku Shqipëria ka ende punë për të bërë që të arrijë standardet e kërkuara.


"Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet një farë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane.


BE-ja thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin, si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", - thuhet në dokument.


Ai vlerëson shumë nga reformat e qeverisë, por pohon se "korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz".


Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe pohon se ky fenomen "mbetet problem serioz, që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri".

Më tej, në të thuhet: "Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve, si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë që të reduktojnë efikasitetin hetimor".


Në raport cilësohet si problem trafiku i drogës dhe ai i njerëzve. Teksa për të parin ka hapa përpara, në dokumentin konfidencial Shqipëria konsiderohet ende si "vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave dhe për punën e detyruar të lypësve.


Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje". Në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, raporti tregon se BE-ja është njohur me masat e marra nga qeveria, por ka shprehur shqetësimin për shpejtësinë e shpërndarjes së kartave të identitetit.


Vlerësimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të diskutohet nga vendet anëtare më 25 maj. Për shtetet ballkanike që kanë përmbushur më mirë kriteret e kërkuara, komisioni pritet t'i propozojë Këshillit Evropian rekomandimin e tij për heqjen e regjimit të vizave në fund të muajit qershor.


Deri më tani, burime diplomatike njoftojnë se vendet më të favorizuara janë Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të vlerësohen në një kohë tjetër, kur të përmbushin kushtet për liberalizimin e vizave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›