E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS: Protesta në të gjithë Shqipërinë

Forumi më i lartë politik i PS-së mes dy kongreseve ka mbështetur raportin e kushtëzuar me Kuvendin



Protestat do të kulmojnë më 30 prill në Tiranë. Tre qëndrimet për marrëdhëniet e institucionin legjislativ

Qëndrim i kushtëzuar ndaj Kuvendit dhe protesta që do të kulmojnë në një tubim të madh në datën 30 prill në Tiranë. Këto do të jenë dy linjat kryesore të veprimit politik që do të ndjekë Partia Socialiste në ditët në vijim. Ky ka qenë verdikti i shprehur dje nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, si organi më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve, duke rikonfirmuar në këtë mënyrë edhe vendimin e marrë disa ditë më parë nga grupi parlamentar. Ndërkohë që në datën 18 prill socialistët kanë thirrur edhe kongresin e tyre për të miratuar ndryshimet statutore dhe programore, por edhe për të diskutuar për situatën politike.

Asambleja
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka diskutuar dje për më shumë se tre orë rreth situatës politike dhe qëndrimit që duhet të mbajë kjo forcë në vijim të luftës së saj politike për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të shkuar. Më shumë se 20 anëtarë të kësaj asambleje, në më shumë se 3 orë diskutime, kanë shprehur argumentet e tyre ku sërish janë vënë re ndryshime të ndjeshme për raportet që duhet të mbajë kjo forcë politike karshi institucionit të Kuvendit. Sërish, ashtu si edhe në grup ka pasur tre lloj qëndrimesh: njëri ai përfaqësuar nga LMN me Ben Blushin dhe Arben Malajn, por edhe nga Servet Pëllumbi për të ndërprerë bojkotin dhe marrjen pjesë normalisht në jetën parlamentare. Por në ndryshim nga dy të parët, të cilët kanë qenë të mendimit se bojkoti nuk ia arriti qëllimit të tij, Pëllumbi ka argumentuar se ai duhet të ndërpritet se i dha efektet e veta në sensibilizimin e shoqërisë dhe faktorit ndërkombëtar për manipulimet e kryera në zgjedhjet e shkuara. Një qëndrim tjetër, i cili është edhe ai zyrtari ishte që PS dhe grupi i saj parlamentar të mbante marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendit, pra duke marrë pjesë në të për kërkimin e transparencës së zgjedhjeve, por duke alternuar në të njëjtën kohë këtë luftë institucionale edhe me protesta. Përveç kësaj linje mësohet se në debatet e djeshme ka pasur edhe një qëndrim të përfaqësuar nga deputetët Arben Ahmetaj dhe Ilir Beqja, të cilët në diskutimet e tyre kanë argumentauar se PS duhet të vijojë të mbajë qëndrimin e deritanishëm ndaj Kuvendit, por duke i mëshuar fort në të njëjtën kohë protestave.

Vendimet
Në përfundim të diskutimeve, Asambleja Kombëtare ka kaluar në proces votimi, ku kreu i saj, Gramoz Ruçi, ka prezantuar edhe vendimet që duhet të merrte ky forum i lartë, të cilat në përfundim të mbledhjes i ka bërë të ditura edhe për median. Kështu Ruçi, në komunikim me mediat theksoi se nuk do të ketë situatë normale të veprimtarisë parlamentare për sa kohë nuk zgjidhet kriza dhe nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve. "Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë pjesëmarrës në parlamentin shqiptar vetëm, e theksoj vetëm, për të shfrytëzuar çdo hapësirë parlamentare për të çuar përpara transparencën e zgjedhjeve të mohuar në mënyrë jodemokratike, aspak kushtetuese, aspak procedurale e aq më pak pa vullnet politik të mazhorancës aktuale për transparencën e zgjedhjeve, të thellë, të plotë dhe të gjithanshme", - tha Ruçi, duke sqaruar në të njëjtën kohë për mediat se nuk do të ketë pjesëmarrje në komisionet kuvendore. Nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se Asambleja ra dakord që PS krahas luftës parlamentare do të organizojë protesta në të gjithë territorin e vendit, të cilat do të nisin që në ditët në vijim dhe do të kulmojnë me protestën në shkallë kombëtare të datës 30 prill në kryeqytet. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se Asambleja miratoi edhe një vlerësim për mbështetjen që ka dhënë faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, duke i bërë thirrje në të njëjtën kohë atij që të vijojnë të kontribuojnë në këtë drejtim. Një vendim tjetër i Asamblesë ishte edhe thirrja e kongresit socialist në datën 18 prill.

Debatet në Asamble

Ilir Beqja:
"Mbështetja që gjeti çështja jonë në popull tregoi se ishte një çështje e drejtë dhe se zgjedhjet duhen hetuar. Protesta ishte kulmi i kësaj beteje dhe çështje, që më pas nisi të flas edhe anglisht në disa shtete. Ne kemi mundur të bëjmë opozitë edhe kështu në këto kushte, pasi ne kemi paralajmëruar krizën ekonomike, rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, zhvleftësimin e lekut si dhe u kemi qëndruar qytetarëve shqiptar kur ata kanë qenë në momente të vështira siç ishin përmbytjet që shkaktoi qeveria. Ndaj, mendoj se duhet të mbajmë këtë qëndrim të kushtëzuar me Kuvendin, siç edhe kemi vepruar deri tani".

Arben Ahmetaj:
"Duhet të vazhdojmë luftën tonë për transparencë. Kemi fituar mbështetjen e ndërkombëtarëve për çështjen për të cilën ne po luftojmë".

Sajmir Tahiri:
"Dilema kryesore është çdo bëjmë me kauzën tonë? Do kthehemi në normalitet sikur asgjë ka ndodhur? Kjo nuk mund të bëhet pa i kërkuar edhe falje shqiptarëve dhe mazhorancës gjithashtu, për shqetësimin që u kemi sjellë me protesta. Do heqim dorë nga marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin duke i njohur në mënyrë implicite legjitimitet të plotë? Atëherë po me dorën tonë kemi firmosur kapitullimin elektoral në të ardhmen, jo për shkak të rezultatit zgjedhor të mundshëm por sepse i japim dorën përfundimtare institucionalizimit të manipulimit zgjedhor. Qëndrimi i pakushtëzuar me parlamentin duhet të vazhdojë domosdoshmërisht, duke e konsideruar këtë vetëm një artikulim të protestës tonë, qoftë brenda apo jashtë sallës së parlamentit, me një fjalim apo duke ndarë 60-minutëshin e diskutimeve të lira në dy gjysma, një për mazhorancën dhe një për protestën tonë. Ajo që duhet të bëjmë më mirë është të nxjerrim protestën nga shpirti e shtëpia e çdo shqiptari që sot proteston për gjithçka, çmimet, varfërinë, papunësinë e kështu me radhë, e t'i japim zë kudo, në çdo cep të vendit dhe ne parlament gjithashtu".

Erion Braçe:
"Ne duhet të jemi të qartë në atë që bëjmë dhe ato që kemi duhet t'i themi këtu në takimet e tona politike. Por, ama, pasi të shprehim qëndrimet tona, ne duhet të angazhohemi në punë dhe të zbatojmë vendimet partiake. Në këtë mënyrë të vepruari nuk mund të vazhdohet, pasi në parti nuk respektohen vlerat dhe kontributi i gjithsecilit. Kështu gjerat nuk mund të shkojnë pafundësisht, ndaj nuk mundet të tolerohet më që interesat personale të vihen mbi ato politike të forcës tonë. Prej shumë kohësh sistemi ynë i sekretariatit punon i paplotë, pasi unë sekretarin elektoral më shumë e shoh në media sesa në parti. Gjithashtu sekretarin për programin politikë, e shoh vetëm nëpër ekrane, ndërsa për detyrën që është zgjedhur pra për programin politikë ai nuk angazhohet fare. Nga ana tjetër flitet se kryesia nuk mblidhet në mënyrë të rregullt dhe se për vendimmarrjen ajo anashkalohet. Ky forum nuk mund të mblidhet për tu shfrytëzuar nga një pjesë e anëtarëve për të bërë show politikë. Ndaj mendoj se duhet një organizim edhe në këtë drejtim në mënyrë që të gjithë të vihen në punë për të arritur qëllimet tona politike dhe për të bërë opozitën që na takon"



Arben Malaj:
"Nuk mund të ketë justifikime që radikalizimi PS-së është kërkesë e bazës socialiste. Dje disa kolegë përdorën edhe shifra që deri 80% e anëtarëve të organizatave kërkojnë bojkotin e përhershëm të parlamentit. Kjo frymë e godet PS-në në avantazhin e saj publik, por unë dua të them se ata që kundërshtojnë bojkotin e parlamentit nuk janë vetëm ata që janë në punë apo që kanë biznes privat, ndaj PS nuk duhet prezantuar si partia vetëm e njerëzve të varfër dhe të papunë. Ky mentalitet ngushton bazën sociale të PS-së dhe e bënë atë një parti gjithnjë e më të vogël çka rrezikon ta bej atë gjithnjë më të vogël e më radikale. Ne duhet të marrim pjesë në parlament për të qartësuar vizionin tonë për një qeveri ndryshe, për të mbështetur integrimert e vendit dhe për të qartësuar dështimet e Berishës. Duhet të debatojmë në parlament për t'i parandaluar krizat dhe për të qartësuar se qeverisja e ardhshme e PS-së i njeh përmasat e tyre, dhe ka gati strategjinë antikrime dhe rikthimin e ritmeve të larta të rritjes ekonomike. Duhet të strukturohemi plotësisht si një forcë politike parlamentare. Organizimi politik ka zvarritje, është me fazë dhe është spontan. Bojkoti ynë, pjesëmarrja e kushtëzuar ku flet 5 minuta një kolege nga grupi dhe e shoqërojnë 64 veta, pengon suksesin tonë politik. Protestat nuk duhet të jenë fillimi, por një harmonizim i reagimit tonë publik, duke nisur me ndërprerjen e bojkotit".

Servet Pëllumbi:
"Për mua është shumë e dënueshme dhe e papranueshme vijimi i bojkotit, pasi në analizën time ky mjet e arriti qëllimin e vet. Ne duhet të jemi në parlament për të kërkuar jo vetëm hetimin e zgjedhjeve, por edhe për t'u dhënë mundësi shqiptarëve të kuptojnë se cila është alternativa jonë. Evidentimi i alternativës tonë është një kusht edhe për zgjedhjet e tjera"

Ben Blushi:
"Unë i qëndroj qëndrimit që kam bërë të ditur edhe më parë se grupi parlamentar i Partisë Socialiste duhet të vijojë jetën parlamentare. Ndaj, ne duhet që si asamble të mbajmë një qëndrim dhe të miratojmë një vendim për sjelljen tonë ndaj parlamentit ashtu edhe ndaj aksioneve të tjera politike. Në mënyrë që ne të dimë se çfarë qëndrimi do të mbajmë dhe të zbatojmë. Ndërsa kongresi që pritet të mbahet duhet të ketë dhe një pikë tjetër përveç pikave të përcaktuara, ku të diskutohet edhe për situatën politike".

Tauland Balla:
"Po e vazhdoj ku e la Blushi dhe jam dakord se duhet pasur një vendim si Asamble dhe unë propozoj që të miratojmë së pari qëndrim të kushtëzuar ndaj Kuvendit, protesta në të gjithë vendin dhe angazhim të të gjithë të zgjedhurve në Kuvend dhe anëtarëve të forumeve drejtuese në këto protesta. Besoj se deputetët e Korçës duhet të protestojnë edhe për dëmshpërblimin e gjithë atyre fermerëve që ju përmbyten pronat, ashtu siç edhe ne të tjerët duhet të protestojmë për problemet që shqetësojnë qytetarët që ne përfaqësojmë. Ndaj, ne duhet të angazhohemi të gjithë pa përjashtim që këtë valë protestash ta ngremë në të gjithë vendin".

Gramoz Ruçi:
"Kemi rënë dakord që kongresi të bëhet në datën 18 prill dhe ashtu siç e kërkoi edhe Blushi, kongresi do të diskutojë edhe për çështjet politike, krahas miratimit të ndryshimeve në statut dhe program".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›