Kutitë, Rama: Jemi gati për çdo kompromis

Kreu socialist ka bërë të ditur PS është gati për çdo kompromis mbi interesat, por jo mbi parimet
"Nuk do të heqim kushtëzimin e pjesëmarrjes sonë në axhendën e punimeve të Kuvendit deri kur të bëhet transparenca"
Partia Socialiste është e gatshme të bëjë çdo kompromis me mazhorancën, me qëllim zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur vet kryetari i kësaj force, Edi Rama, duke folur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku natyrisht ka bërë të qartë se socialistët nuk do të bëjnë asnjë hap pas në luftën e tyre për të hetuar zgjedhjet nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. "Ne jemi gati për çdo kompromis mbi interesat, por nuk bëjmë asnjë kompromis mbi parimet. Kemi njohur rezultatin. Kemi pranuar publikisht dhe jemi gati ta nënshkruajmë botërisht se nuk do të kërkojmë ndryshimin e tij pavarësisht çdo nxjerrë hetimi i kutive të 28 qershorit. Kemi hyrë në Kuvend me një ofertë serioze dhe kemi hapur disa shtigje kompromisi. Të gjitha këto, sepse në emër të zgjidhjes dhe në funksion të domosdoshmërisë për të normalizuar jetën e vendit, duke normalizuar marrëdhënien mes popullit dhe pushtetit, jemi të gatshëm të bëjmë kompromis, e përsëris mbi interesat, por asnjëherë dhe kurrsesi mbi parimet", - tha kreu socialistë në fjalën e tij.
Për këtë arsye. ai ka theksuar se PS nuk mund të heq dorë në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nga transparenca, sepse në rast se do të bënte këtë do të hiqte dorë nga e drejta për t'i dhënë çdo njeriu garancinë në të drejtën e vet për të zgjedhur. Mungesa e një të drejte të tillë fondamentale për demokracinë, ka shtuar më tej kreu i selisë rozë, e bën Partinë Socialiste më të vendosur për t'i shkuar deri në fund luftës së saj politike dhe për të kërkuar me çdo mjet demokratik rikthimin e pushtetit të qytetarëve. Në vijim të këtij qëllimi, shefi i opozitës ka garantuar se rruga e PS-së do të ketë dy drejtime: luftë të pandalshme parlamentare për hapjen e kutive dhe protesta qytetare derisa qeveria të pranojë t'i kthejë popullit pushtetin e vet. "Kjo e bën rrugën tonë fare të qartë. Për sa kohë siç na tregoi dhe shfaqja e turpshme e të premtes së shkuar (19 prill), parlamenti shqiptar nuk funksionon më si një institucion demokratik me garanci qoftë për ata që qeverisin, qoftë për ata që i bëjnë opozitën qeverisjes. Për sa kohë parlamenti nuk udhëhiqet në veprimet e tij nga Kushtetuta, ligji dhe vetë rregullorja e tij, Partia Socialiste nuk ka asnjë punë tjetër me këtë parlament përveç çështjes së transparencës, që vjen vetëm përmes hapjes së kutive. Do të jemi aty vetëm për të dëshmuar vullnetin për transparencë e për zgjidhje parlamentare dhe nuk do të heqim kushtëzimin e pjesëmarrjes sonë në axhendën e punimeve të Kuvendit deri ditën kur pushteti i Ruzhdies nuk do të mbajë peng kutitë, ku fshihet mekanizmi i korrupsionit elektoral", - u shpreh Rama. Në funksion të kësaj beteje Rama ka paralajmëruar nisjen e një vale të re protestash në të gjithë Shqipërinë dhe që do të kulmojnë në datën 30 prill në Tiranë. Për të pasur suksesin e kërkuar, ai i ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Asamblesë, përfshi këtu edhe deputetët, që të angazhohen në bazë për të karikuar qytetarët shqiptar me ndjenjën e duhur të protestës për të gjitha pakënaqësitë që kanë.
"Pushteti e bëri të detyrueshme për popullin opozitar daljen në rrugën e protestës. Ku ne do t'i ftojmë të gjithë që nga java e ardhshme. Ku ne do të jemi më gjithkënd që do të dojë të protestojë për çdo padrejtësi të këtij pushteti. Ku ne do të kërkojmë të hapen kutitë e mbyllura të zgjedhjeve, të ekonomisë, të drejtësisë, të lirisë së konkurrencës e të medias dhe të çdo të drejte e lirie tjetër që kufizohet përditë nën keqqeverisjen e pushtetit të Ruzhdies. Njëkohësisht, ju ftoj që ta adoptojmë 30 prillin si datën e rikthimit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", të të gjithë masës qytetare protestuese", - theksoi Rama, duke falënderuar në të njëjtën kohë deputetët socialistë për të gjithë angazhimin e tyre në betejën që kanë zhvilluar gjatë gjithë këtyre muajve.